E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Drogba te Reali, për të lënë të lirë Van Nistelroin"

Reali i Madridit është shumë pranë sigurimit të një tjetër sulmuesi, për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Bëhet fjalë për Didier Drogba, i cili shihet si qendërsulmuesi i përkryer, zëvendësuesi më i mirë i mundshëm i Rud Van Nistelroi. Dy gazetat britanike "Daily Mirror" dhe "Daily Star", kanë publikuar të njëjtin variant në lidhje me bisedimet trepalëshe mes Realit të Madridit, Çelsit dhe Milanit. Sipas tyre, këto skuadra do të ndërrojnë sulmuesit gjatë verës, për të rindërtuar kontingjentin aktual.

Gjithçka fillon nga Milani, i cili vazhdon të interesohet për Rud van Nistelroin, duke e cilësuar atë partnerin ideal të të riut Pato. Kuqezinjtë janë të gatshëm të shpenzojnë mbi 20 milionë euro për sulmuesin holandez, duke shtyrë madrilenët të kërkojnë një zëvendësues të tij, duke kontaktuar me Drogban. Sipas mediave angleze, futbollisti nga Bregu i Fildishtë ka rënë dakord me drejtuesit e Çelsit që të largohet për një shumë të përafërt me 20-22 milionë euro, ndërsa menaxheri i tij, Pierr Frelot, është takuar edhe me drejtorin sportiv të madrilenëve, Predrag Mijatoviç. Futbollisti ka shprehur prej kohësh pakënaqësinë e tij që pas largimit të Hoze Murinjos nga ekipi londinez dhe nuk e duron praninë e trajnerit Avram Grant. Një burim pranë Realit të Madridit ka treguar për mediat angleze se si kanë rrjedhur ngjarjet gjatë javëve të fundit. "Drogba i ka komunikuar Çelsit vendimin e tij, por dy klubet kanë vendosur të mos bëjnë asgjë zyrtare deri në mesin e muajit maj". Sipas gazetës "Daily Star", Reali i Madridit po bën gati një kontratë trevjeçare për futbollistin, që do të përfitojë 7.6 milionë euro në sezon. Sipas saj, Çelsi ka kërkuar fillimisht Robinjon si shkëmbim për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, por madrilenët kanë refuzuar, duke planifikuar që të mbajnë edhe për një sezon brazilianin. Kjo ka shtyrë drejtuesit londinezë që të bëjnë një kërkesë krejtësisht ekonomike, duke kërkuar mbi 20 milionë euro për Drogba, pa u shqetësuar për faktin se do të mbeten me një lojtar më pak në repartin e avancuar, pasi në janar blenë një lojtar me tipare të njëjta, francezin Nikolas Anelka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›