Basha: Ditari i del Pontes, i mbushur me shpifje që njollosin luftën e shqiptarëve
Tirana zyrtare hedh poshte hamendësimet e librit të ish-kryeprokurores se Hagës, Carla del Ponte, ku shqiptaret akuzoheshin si të përfshirë ne aksione kriminale në dëm të serbëve. Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha deklaroi dje se “akuzat e Karla del Pontes kërkojnë të zhvleftësojnë dhe delegjitimojnë luftën e përpjekjet e kosovarëve për liri”. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulëzim Basha i ka cilësuar trillime dhe absurde faktet që Del Ponte rendit në ditarin e saj të shumëpërfolur. “Akuzat që njollosin shqiptarët janë të pamoralshme dhe të dënueshme. Del Ponte ka pasur mundësi të hetojë. Ndjej keqardhje për akuzat e Del Pontes”, tha Basha. Ministri i Jashtëm deklaroi se një situatë e tillë ushqen qarqet radikale dhe ka si qëllim destabilitetin e rajonit. “Por kjo, theksoi ai, mbetet një përpjekje e dështuar”. Libri i ish-kryeprokurores së Hagës ngjalli reagime të forta ne media. Por në zonën e Matit, ekspertët e gjykatës së Hagës nuk gjetën asgjë që përflitej në ditarin e ish-kryeprokurores së Hagës, përvec varfërisë së thellë të asaj zone, e jo më laboratorë që mund të bënin të mundur transplantimin e organeve të brendshme të ushtarëve dhe popullsisë civile serbe.