E Shtunë, 31 Tetor 2026

Henri: Arsenalin e kam në zemër

Sulmuesi i Barcelonës, Tierri Henri, këmbëngul se nuk është penduar për largimin nga Premiershipi drejt "Kamp Nou"-t, megjithatë pranon se ish-skuadra e tij, Arsenali, "është e vetmja në zemrën time". Një deklaratë e tillë mund të mos i pëlqejë drejtuesve të Njukasëllit, klubit të fundit që është interesuar për të marrë shërbimet e sulmuesit francez. Edhe pse sezoni i tij te Barcelona ka qenë mjaft zhgënjyes, Henri konfirmoi se skuadra e vetme angleze për të cilën do të luante janë "topçinjtë". Pavarësisht kësaj, 30-vjeçari nuk ka ndërmend që t‘i japë menjëherë fund aventurës me klubin katalan. "Këtu te Barcelona jam i lumtur. Kam ende tre vjet kontratë me klubin", tha Henri për BBC-në. "Nuk jam penduar për asgjë që kam bërë në jetë. Gjithçka ndodh për një arsye. Nuk pendohesh rreth gjërave të cilat bëhen pasi i mendon. Unë nuk jam penduar rreth transferimit. Jam i lumtur: nuk pendohem që u largova nga Arsenali. Megjithatë, Anglia... sa herë që mundem i shoh ndeshjet e Premiershipit në televizor. Më mungon ajo atmosferë. Gjithsesi, në Angli ka vetëm një skuadër për mua: të gjithë e dinë dashurinë time për Arsenalin. Ajo është skuadra që kam në zemër".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›