E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kampionati, ftesë për turistët e huaj, që të vizitojnë bukuritë dhe mikpritjen e maleve tona

11-09-2011 / Gazeta 55

Çelet kampionati i 27-të Botëror i Vrapimit në Mal, Shqipëria, organizatore e aktivitetit

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në ceremoninë e hapjes së Kampionatit të 27-të Botëror të Vrapimit në Mal, në Pallatin e Kongreseve. Ky aktivitet, i organizuar nën kujdesin e veçantë të kryeministrit, sjell në Shqipëri rreth 400 atletë nga 5 kontinentet e botës, për të vrapuar së bashku në një garë paqeje, duke e kthyer një aktivitet kulturor - sportiv në një ngjarje që do të shpalosë vlerat qytetare e turistike të vendit. Aktiviteti do të organizohet tek Kodrat e Liqenit, në Tiranë.
Në shenjë simbolike, Bruno Gosalino, President i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, i dorëzoi Kryeministrit Berisha Medaljen e Arit si Kampion i Vrapimit, duke vlerësuar kontributin dhe punën e Kryeministrit, veçanërisht në drejtim të promovimit dhe nxitjes së turizmit malor në Shqipëri.
Kryeministri falënderoi Gosalinon për këtë çmim, duke u shprehur:
“Është një nder shumë i madh për mua. Ndonëse unë nuk kam qenë asnjëherë sportist i federuar, por mendoj se shumë pak nga ju, kanë vrapuar dhe ecur nëpër male më shumë se ç’kam vrapuar unë. Malet janë jeta ime, zemra ime, shpirti im, në të gjithë rininë time”.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha vlerësoi se zhvillimi i këtij kampionati në Shqipëri është një ngjarje e madhe për sportin shqiptar, për turizmin malor shqiptar dhe për gjithë vendin dhe kombin.
Shqipëria, theksoi Kryeministri, nuk ka majat më të larta në Evropë, por në njësi sipërfaqeje, ajo ka malet më të shumta, male të cilat në kreshtat, ujëvarat, luginat, lëndinat e pyjet e tyre, fshehin bukuritë më mahnitëse të këtij kontinenti, pasuritë malore më të mëdha. Këto male presin t’u dëshmojnë vizitorëve bukuritë e tyre mahnitëse, pasuritë e tyre të mëdha, mikpritjen e tyre shembullore.
Duke i uruar suksese zhvillimit të këtij kampionati në Tiranë, Kryeministri shprehu besimin se ky kampionat do të frymëzojë edhe të rinjtë shqiptarë për të njohur më nga afër pasuritë e mëdha të vendit të tyre, për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm të vendit, në interesit më të mirë të formimit të tyre fizik e psikologjik.
Gjithashtu, Kryeministri shprehu besimin se ky kampionat do të shërbejë si një ftesë për turistët nga mbarë bota, për të ardhur dhe për të njohur këto male, male të cilat kanë frymëzuar personalitete të larta botërore në artin e tyre, apo edhe krijimin e legjendave dhe cikleve më të bukura të popujve të Ballkanit.
Realizimi për herë të parë i këtij kampionati në Shqipëri synon përfshirjen e atleteve nga e gjithë bota në një aktivitet masiv, si promocion i turizmit malor të vendit dhe i evidentimit të vlerave të qytetit dhe të njerëzve që bartin këto vlera. Gjithashtu, aktiviteti synon të rrisë vëmendjen e rretheve profesioniste ndaj produktit sportiv  në zonat “periferike”, ku Tirana dhe vendi ynë bëjnë pjesë, si dhe të ndërtojë, të zgjerojë dhe të vendosë ura komunikimi me komunitetin e sportistëve brenda dhe jashtë vendit.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së kampionatit ishin Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, Bruno Gosalino, President i Federatës Botërore të Vrapimit në Mal, Otto Klappert, Komisar përfaqësues i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Gjergj Ruli, President i Federatës Shqiptare të Atletikës, sportistë të njohur, zyrtarë, pjesëmarrës në Kampionat, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›