E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bojkoti ishte kohë e humbur, dëmtoi progresin drejt BE-së”

11-09-2011 / Gazeta 55

Kastriot Islami, deputet i PS-së

Deputeti socialist Kastriot Islami vazhdon ta cilësojë si vetëvrasje politike, bojkotin 2 vjeçar të Kuvendit, nga ana e Partisë Socialiste. Në vigjilje të publikimit të opinionit të Komisionit Evropian, për progres-raportin e Shqipërisë, Islami shprehet se Paria Socialiste mbart një pjesë të përgjegjësisë së saj, në mos miratimin e ligjeve të kërkuara nga ndërkombëtarët dhe si rrjedhojë, mos realizimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian.
“Bojkoti ishte një zgjedhje e gabuar dhe e dështuar njëherazi. Demokracitë perëndimore shprehën shqetësime të mëdha për situatën në Shqipëri. Apeli ka qenë i qartë: Shqipëria të ndjekë shembullin e Kroacisë për afrimin me BE-në. E gjithë çështja ka qenë te realizimi i ‘detyrave të shtëpisë’”, u shpreh Islami.
I pyetur nëse koha është e mjaftueshme për plotësimin e standardeve të Bashkimit Evropian, Islami shprehet se primare është funksionimi i debatit politik në parlament, në mënyrë që ky i fundit t’i kthehet funksionalitetit.
“A është e mjaftueshme koha? Në momentin kur është hedhur një hap pozitiv me ndërprerjen e bojkotit, duhet shpresuar që të ketë një farë shprese, por detyrat që lidhen me 12 pikat e Komisionit Evropian, për statusin kandidat mund të them se ka ende shpresë. E gjithë koha e mbetur duhet të vihet në dispozicion të detyrave të kërkuara nga Brukseli. Sigurisht që PS, ka pjesën e saj të përgjegjësisë për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5, ligje të cilat përbëjnë edhe rekomandimet e Brukselit. Përfundimisht parlamenti shqiptar do të kthehet në rrugën funksionale”, tha Islami.
Duke iu referuar situatës së brendshme politike në PS, deputeti socialist, Islami, vuri në dukje se Edi Rama dështoi në bashkimin e së majtës, pasi siç u shpreh ai, kryesocialisti erdhi në krye të PS-së me premtimin e unifikimit të së majtës politike. Ai tha se të paktë janë ata përfaqësues të PS-së që janë në gjendje të ngrenë në diskutime çështje tabu si bashkimi i së majtës, por ka dhe shumë të tjerë që nuk shprehen publikisht.
“Unë, Arben Malaj dhe Andis Harasani kemi kërkuar unifikimin e PS-së me partitë e tjera të majta, ku ndër to është edhe LSI, me qëllim që e majta politike të vijë në pushtet. Ka dhe shumë deputetë të tjerë që janë mbështetës të këtij programi dhe kësaj alternative. Mendoj se duhet bërë një riorganizim i Partisë Socialiste. E njoh shumë mirë mënyrën sesi funksionon PS dhe aktualisht është e pamjaftueshme për të arritur rezultate konkrete porsa kohë përfaqësuesit nuk vihen në vijë të drejtë të vlerave, kontributeve dhe fuqisë së vërtetë politike”, deklaroi më tej, deputeti Kastriot Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›