Andrea Prendi: Prokuroria ka ushtruar presion psikologjik, po më trajton si kryebandit

Ndrea Prendi në sallën e gjyqit
Është zhvilluar sot seanca e dytë në ngarkim të pandehurve për viktimat e ngjarjes së 21 janarit në bulevardin Dëshmorët e Kombit ku mbetën të vrarë katër protestues.
Gjykata ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës, të ish-kreut të Gardës së Republikës, Andrea Prendi dhe gardistit, Agim Llupo, për rrëzimin e ekspertizave mjeko-ligjore duke e argumentuar se ajo është e pabazuar në ligj dhe fakte.
Ky vendim i ka hapur rrugën vijimit të gjyqit normalisht, ku prokurorët kanë nisur të lexojnë kërkesën për gjykim.
Ish-kreu i gardës, Prendi ka deklaruar gjatë seancës se po akuzohet pa prova dhe pa fakte dhe se po trajtohet si kreu i ndonjë bande. Madje ai ka deklaruar se po gjatë marrjes në pyetje në prokurori i është bërë presion psikologjik. /F.S/
Gjykata kthen kërkesën e fëmijëve të Veizit
Ndërkohë gjykata ka kthyer kërkesën për dëmshpërblim të fëmijëve të Ziver Verizit për shkak se nuk është përcaktuar shuma që kërkohet.
Familjarët e protestuesit që humbi jetën në ngjarjen e 21 janarit ngritën padi për dëmshpërblim ndaj të akuzuarve për ngjarjen e “21 janarit”.
Për vrasjen e protestuesve me 21 janar, përveç Llupos, kreu i Gardës së Republikës, Andrea Prendi, akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt dhe plagosjen e disa të tjerëve.
Gjyqi ndaj tyre nisi me 23 maj por seanca e parë u shty për shkak se avokatët mbrojtës kërkuan pavlefshmërinë e akteve të ekspertimit. Avokatët pretendojnë se aktet janë kryer pa vendim të prokurorisë. Seanca e ardhshme do të mbahet sot.
Ngjarja e 21 janarit konsiderohet protesta e organizuar në bulevardin Dëshmorët e Kombit në vitin 2011 ku mbetën të vrarë katër protestues dhe u plagosën disa të tjerë. /F.S/