Shqipëria me 1 milionë emigrantë, të papërfillshme kërkesat për azil
Raporti i tretë vjetor i Komisionit Evropian
Komisioni Europian publikoi raportin e tretë vjetor mbi emigracionin dhe azilin. Cecilia Malmström, Komisionere për punët e brendshme në BE theksoi se “në 2011-ën, BE priti pothuajse 10 për qind të emigrantëve të botës”. Sipas saj, kjo shumë është rreth 20 milionë njerëz, ose 4 për qind e popullsisë së BE-së. Shqipëria renditet në raport si vendi i tretë për numrin më të lartë të banorëve të huaj të BE-së, referuar të dhënave të EUROSTAT. “Grupet me numrin më të lartë të rezidentëve me kombësi nga vende të treta në 2009 ishin Turqia (përafërsisht 2.4 milionë), Maroku (gati 1.8 milionë) dhe Shqipëria (përafërsisht 1 milionë banorë),” thuhet në raportin e KE-së. “Për azilin, ne duhet të vazhdojmë të përmbushim detyrën tonë për t’i dhënë strehë atyre që kërkojnë mbrojtje dhe të kompletojmë sistemin e përbashkët evropian për azilin gjatë 2012-s, siç kanë rënë dakord vendet anëtare”, u shpreh Malmstrom. “Është e qartë se një nga dobësitë e sotme të “Schengen”-it është se vlerësimi është rishikuar tepër dhe për pasojë ne nuk kemi qenë në gjendje për të vepruar në kohë ndaj dobësive të mundshme në menaxhimin e kufirit të një vendi”, shtoi Malmstrom. Raporti vjetor për emigracionin dhe azilin në BE gjatë 2011 shoqërohet dhe me sondazhet e bëra nga Eurobarometër, ku rezulton se 53 për qind e qytetarëve evropianë mendojnë se emigracioni pasuron vendet e BE-së në mënyrë ekonomike e kulturore.
...