E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kandidati ynë është i paanshëm. Na thoni se çfarë ka mangët? Ruçi: Jemi në të njëjtën situatë si në vitin 2007

Share

(E PERDITESUAR)- Seanca e sotme për zgjedhjen e presidentit pati interesin e diplomatëve të huaj. Megjithatë rezultati dihej. I pari në seancë e mori fjalën kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi, i cili deklaroi se situata është njësoj si në vitin 2007.

Partnerët ndërkombëtar dhe publiku nuk prisnin këtë seancë, që ne të flisnim për procedurë, por një maturi dhe një rezultat konkret ku klasa politike shqiptare më së fundi të jepte një sinjal pjekurie dhe maturie. Por për fat të keq edhe sot nuk ndodhi. Po të kthehemi 5 vjet para, kur kemi zgjedhur presidentin, do të shohim se jemi përsëri në të njëjtën situatë. A ka ndonjë ndryshim para 5 vjetësh? Mendoj se nuk ka asnjë ndryshim. E njëjta politikë, një seancë formale pa kandidat ku aktorët politikë mbajnë fjalime dhe do të bëjnë të njëjtat përgjërime, ku flasim për negociata ku s`ka rezultate, theksoi Ruçi.

Kreu i grupit socialist gjithashtu akuzoi maxhorancën se ka përjashtuar opozitën në negociatat për emrin e presidentit të ri. Opozita përjashtohet nga ata që duhet të dialogonin me të. Zoti kryeministër, në demokraci kundërshtarin nuk e zgjedh dot, jemi të dënuar të punojmë bashkë. Dialogu nuk bëhet midis vetes, me kundërshtarët, i cili ka munguar deri sot. Negociata nuk bëhen me partnerët , bëhen me kundërshtarin, siç nuk i keni bërë ju. Proces nuk bëhet midis vetes, bëhet me kundërshtarin, ju se keni bërë. Konsensusin e kërkon Kushtetuta, nuk kërkohet mes vetes, ju se keni bërë. Ja pse ne i jemi përgjigjur ftesës suaj, shtoi Ruçi.

Kurse kryeministri Sali Berisha foli gjatë e me patos ditën e sotme në sallën e Kuvendit. Ai tha se mazhoranca ka sjellë aty një emër që nuk vjen nga politika, që është i paanshëm dhe që ka dalë kundër vendimeve të qeverisë në Kushtetuese.

Ne u vetëkufizuam dhe nuk sollëm politikanë, por sollëm një kandidat, i cili në 20 vite i ka shërbyer vendit dhe kombit të tij me paanësi të plotë. Ky kandidat është një intelektual, i cili u angazhua në fillim të viteve 90 në lëvizjen demokratike si shumica e të pranishmëve këtu. Ky kandidat ishte një drejtues i shkëlqyer katedre. U ngarkua si përfaqësues i Shqipërisë në një nga selitë më të rëndësishme jashtë vendit. Ky kandidat u përzgjodh nga institucione ndërkombëtare në vende të shkëlqyera pune. U doktorua në një nga institucionet më të rëndësishme në Europë. U kthye dhe me votat e përbashkëta u votua për Gjykatën Kushtetuese. Ky kandidat, nga ministri i juaj i Drejtësisë u emërua në Këshillin e Drejtësisë së kësaj ministrie në vitin 2004. Ky kandidat ka këtë kurrikul. Ky kandidat, për hir të së vërtetës, në ato votimet aty, jo njëherë, por disa herë ka gjykuar në të kundërt të interesit të qeverisë. Absolutisht po. Por ju para se të merrni një vendim, ju ftoj se në rast se dilni dot nga bllokimi, në rast se arrini të ngriheni mbi ideologjinë e bllokut dhe bllokimit, ngrihuni dhe studiojeni më mirë dhe na thoni se çfarë ka mangët ky për të qenë një kandidat konsensual, tha Berisha.

Pesë vjet më parë e kemi ndjerë veten të turpëruar sepse jemi sjellë si thashethemexhinj. Këtë skenë nuk do e përsërisim kurrë më. Pse u skontua gjenerali Arjan Zajmi? U skontua se doli me origjinë nga Skrapari. Nuk kam kërkuar konsensus tek ju për Bamirin. Si e zgjodha? E zgjodha sepse kryetari i juaj deshi të bllokonte me çdo kusht ish- kryetarin tuaj. Por ish- kryetari juaj e kuptoi se vendi nuk mund të bllokohej. Por sot nuk kemi paraqitur zotin Patozi, zonjën Topalli apo zotin Bode. Është një njëri që nuk ka qenë asnjë ditë në PD.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›