Zaganjori ishte udhëheqësi shkencor i doktoraturës së Jozefina Topallit
Kandidati i mazhorancës për postin e presidentit, Xhezair Zaganjori, ka qenë udhëheqësi shkencor i Jozefina Topallit në punimin që ajo ka bërë për të fituar titullin doktor.
Kryetarja e Kuvendit ka përgatitur disertacionin me titull Roli i Parlamentit Kombëtar në procesin e integrimit në BE. Punimi i Topallit është realizuar në vitin 2010. Por vetëm së fundmi Topalli ka nisur që të nënshkruajë shkresat e ndryshme, si Dr. Jozefina Topalli. Deputeti i PS, Erion Braçe, ka hedhur dyshime mbi doktoraturën e kësaj të fundit. Për këtë arsye, ai ka kërkuar nga Topalli që të bëjë publike doktoraturën e kryer nga ajo.
Jozefina Topalli ka nisur të nënshkruajë si Dr. Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë duhet të këtë mbrojtur dhe marrë titullin Doktore e Shkencave!!! Po, po, duhet të jetë e vërtetë! Nuk keni dëgjuar për këtë? Epo ky është problemi. Askush nuk flet, madje askush nuk jep informacion mbi laureimin e saj. Madje as vetë Jozefina Topalli nuk flet për këtë. Të marrësh titullin Doktor i Shkencave natyrisht që është një moment i rëndësishëm, por edhe krenari për vetë të titulluarin. Domethënë në këtë rast për Jozefina Topallin. Por ajo nuk flet për këtë! Përse? Përse Jozefina Topalli nuk na tregon temën e doktoraturës së saj? Po përmbajtjen e temës që e bëri Doktore të Shkencave përse nuk e boton? Ne kemi lexuar prej saj edhe budallallëqe, përse të mos lexojmë temën që e bëri Doktore? Mbi të gjitha, na intereson shumë se kur e përmbushi programin e doktoraturës Jozefina Topalli. Gjithmonë sipas ligjit, shprehet deputeti socialist.