Berisha: Kartat e identitetit dhe pasaportat e reja, me siguri maksimale
Në kuadër të prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, Kryeministri Berisha ka pritur dje në zyrën e tij përfaqësues të kompanisë "Sagem Securite" dhe "Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve". Kryeministri njihet me elementët që do të garantojnë sigurinë e lartë, sipas standardeve të kërkuara, në kartat ID dhe pasaportat elektronike. Në këtë takim u bë prezantimi i disa komponentëve të pasaportës elektronike, si ato të personalizuar dhe ato të papersonalizuar, ku përfshihen të gjithë elementët përbërës të sigurisë më të lartë. Në takim u prezantua gjithashtu një dokument me shpjegime teknike të detajuara për secilin element të pasaportës si dhe dizenjo e Kinegramës së pasaportës elektronike dhe letërnjoftimit. Në të u konfirmua se, pas disa ditësh, do të prezantohet versioni i lëvizshëm i Kinegramës dhe elementët e letërnjoftimit të personalizuar dhe të papersonalizuar, ku përfshihen të gjithë elementët përbërës të detajuar të sigurisë së lartë. Berisha, pasi u njoh me pasaportën elektronike dhe elementët e saj, e cila plotëson standardet e kërkuara evropiane, kërkoi mbështetjen maksimale nga të gjitha institucionet shtetërore për zhvillimin dhe mbarëvajtjen në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për qeverinë shqiptare siç është "Prodhimi dhe shpërndarja e dokumenteve të identitetit për shtetasit shqiptarë".