E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers, takime me Berishën, Leskajn dhe Daden

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers, pas fjalës së tij të mbajtur në ceremoninë e firmosje së fazës së dytë të Programit Sfida e Mijëvjeçarit është takuar veç e veç me Kryeministrin Berisha, si dhe me dy përfaqësuese të opozitës, përkatësisht kreun e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, si dhe sekretaren e marrëdhënieve ndërkombëtare, Arta Dade. Ambasadori Uidhers, pas prerjes së tortës, që përfaqësonte modernizimin e administratës nëpërmjet internetit, është ndalur me Kryeministrin në një bisedë të shkurtër kokë më kokë, ku kanë biseduar për ata çështje, për të cilët ata kanë debatuar në distancë, pra për pavarësinë e gjyqësorit dhe për komisionin hetimor ndaj Kryeprokurores Ina Rama. Berisha, mësohet se i ka shprehur ambasadorit Uidhers se mazhoranca nuk do të cenojë pavarësinë e gjyqësorit, por kërkon që bashkë edhe me partnerët ndërkombëtarë të luftojnë korrupsionin. Të njëjtën temë, ambasadori Uidhers e ka konsumuar edhe me zonjat Leskaj e Dade, të cilat mësohet se kanë shprehur shqetësimin pikërisht për ngadalësimin e ritmit të reformave, duke prishur klimën e konsensusit e krijuar pak kohë më parë. Në aktivitetin e djeshëm, gjithçka zotërohej nga "i zoti i shtëpisë", pikërisht nga ambasadori Uidhers, i cili ka qenë ai protagonisti i takimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›