Rama i bashkohet qëndrimit të LSI për dorëheqjen e Berishës
Opozita është bashkuar në betejën politike kundër Kryeministrit Berisha. Pas LSI-së dhe partive të tjera opozitare, të cilat vazhdimisht kanë kërkuar largimin e Sali Berishës nga posti i Kryeministrit, dje ka qenë edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili ka bërë thirrje për një gjë të tillë. Duke marrë shkas nga zhvillimet më të fundit politike në vend dhe qëndrimet e kreut të qeverisë, kryetari i PS-së deklaroi se "Kryeministri Berisha duhet të ikë dhe jo të kërcënojë drejtësinë, t‘i hakërrehet opozitës e të tallet me popullin shqiptar, duke bërë shejtanin me propozimin e tij për shtetëzimin e trojeve të blera nga sekseri i tij serb, ku qeveria e Sali Berishës do që të ndërtojë një park energjetik". Duke u ndalur te deklarata e Kryeministrit në Kuvend, i cili i kërkonte opozitës me insistim sjelljen e ligjit për shtetëzimin e pronave në Porto Romano, kreu i PS-së e ka vlerësuar si të turpshme qëndrimin e Berishës. Rama tha se "sipas këtij propozimi ato toka, që sekseri i Saliut ia bleu për një copë bukë shqiptarëve hallexhinj, të cilët s‘nxjerrin dot muajin nën shtypjen e varfërisë e të papunësisë, Kryeministri na thotë tani që t‘ia blejmë sekserit serb me vlerën e tregut ne, qytetarët e këtij vendi". Kryetari i PS-së theksoi se opozita nuk do të pranojë të bëhet pjesë e lojës së Sali Berishës, i cili kërkon të pasurojë sekserët e tij. Duke kundërshtuar idenë e shtetëzimit, Rama tha se "ky skenar i mirëfilltë korruptiv është jo vetëm i papranueshëm, po edhe tallës për inteligjencën e qytetarëve shqiptarë dhe ne, jo vetëm e refuzojmë pseudopropozimin e Kryeministrit, por i kërkojmë Prokurorisë dhe Kontrollit të Shtetit, të hetojnë e të kontrollojnë procesin e kësaj blerjeje masive trojesh, që janë ndarë si tokë bujqësore dhe që sipas ligjeve të kësaj Republike, nuk i shiten një të huaji". Sipas Ramës, këto janë nisma skandaloze, që synojnë frikësimin e prokurorisë dhe kjo duket edhe me vendimin më të fundit të Kryeministrit për të ngritur një komision hetimor në shënjestër të të cilit do të jetë Prokuroria e Përgjithshme. "Propozimi për një hetim ndërkombëtar, mobilizimi i ushtarëve politikë të qeverisë e të grupit parlamentar për të justifikuar skandalet e pajustifikueshme që vazhdojnë të nxjerrin në dritë fytyrën e vërtetë të qeverisjes së tij, janë manovrat e një Kryeministri që tanimë ka vetëm një qëllim: Të mbrojë veten dhe klanin e tij nga drejtësia", u shpreh kryetari i PS-së. Sipas Ramës, Berisha ka abuzuar me pushtetin, duke e vënë atë në shërbim të një grupi njerëzish, të cilët janë pasuruar çdo ditë e më shumë. Ndaj, ka theksuar kreu i selisë rozë, shërbimi më i mirë që Berisha iu bën shqiptarëve është që të dorëhiqet përpara sesa shqiptarët ta largojnë me votën vitin e ardhshëm.