E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO: Të përshpejtohen reformat zgjedhore dhe në drejtësi

Zyrtarët e lartë të NATO-s i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të përshpejtojë reformat zgjedhore dhe atë në drejtësi, për të arritur standardet për anëtarësimin e plotë në Aleancën më të fuqishme politiko-ushtarake të botës. Dje, në selinë e NATO-s, në Bruksel, u zhvillua Takimi i Komitetit të Lartë të NATO-s me Shqipërinë në format 26+1, për prezantimin e ciklit të 10-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në këtë takim vendet aleate vlerësuan përparimin që ka bërë Shqipëria në drejtim të reformave dhe vunë theksin në finalizimin e reformës zgjedhore dhe në drejtësi. Aleatët shprehën bindjen se në Samitin e ardhshëm të NATO-s, në prill 2009, Shqipëria do të marrë pjesë si anëtare me të drejta të plota. Takimi u drejtua nga ndihmës sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Martin Erdmann. Delegacioni shqiptar i përbërë nga përfaqësues të institucioneve, kryesohej nga koordinatori Kombëtar për Integrim në NATO, Glori Husi. Në fjalën e tij, Husi paraqiti arritjet më të rëndësishme të ciklit të fundit, si dhe objektivat për vitin në vijim në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit, reformën zgjedhore, në drejtësi, ekonomi, ushtri dhe çështje të sigurisë së informacionit të klasifikuar. Në takim përfaqësuesit shqiptarë shprehën gatishmërinë për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›