E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Ndërkombëtarët të shpëtojnë zgjedhjet

LSI-ja ka kërkuar dje që ndërkombëtarët të ndërhyjnë për të shpëtuar procesin zgjedhor të 2009-ës. Deklarata është bërë nga sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, në një komunikim me mediat. Sipas Vasilit, procesi zgjedhor ka degraduar dhe kjo për faj të dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së, të cilat po përgatisin shkatërrimin e zgjedhjeve të ardhshme. "LSI, në komunikim të vazhdueshëm me institucionet më të larta ndërkombëtare, i ka paralajmëruar dhe informuar në mënyrë të vazhdueshme dhe zyrtarisht për degjenerimin e procesit të reformës zgjedhore e devijimin manipulues dhe antidemokratik të tij", u shpreh Vasili. Dhe kjo, sipas sekretarit të LSI-së, është bërë duke u bazuar në bindjen e fortë se Shqipëria është në prag të një destabilizimi të rëndë politiko-social, që kushtëzohet në mënyre direkte nga realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. "Raporti më i fundit i OSBE është një provë e qartë se shqetësimet madhore për rrezikimin serioz të demokracisë në Shqipëri janë tashmë prezente edhe në institucionet ndërkombëtare dhe fillojnë që nga degradimi antidemokratik i Kushtetutës dhe devijimi i pushtetit drejt neodiktaturës e uzurpimi i institucioneve dhe veçanërisht Prokurorisë", u shpreh Vasili. Për LSI-në, "OSBE nënvizon qartë edhe njëanshmërinë dhe zvarritjen e qëllimshme të procesit të hartimit të reformës zgjedhore, që çon në këtë mënyrë në prishjen e zgjedhjeve". Jashtë vëmendjes së tyre, nuk kanë mbetur edhe deklaratat e ambasadorit të SHBA-së, të cilat, tha Vasili "janë një provë e këtij shqetësimi shumë të madh për rrezikimin e thellë të demokracisë dhe devijimin e shtetit drejt neodiktaturës". Sot, theksoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, "është momenti që të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe SHBA duhet të ndërhyjnë në mënyrë të menjëhershme dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e duhur për të parandaluar prishjen e zgjedhjeve të ardhshme për pasojë të bashkëpunimit Berisha-Rama për shkatërrimin e zgjedhjeve, si dhe të gjitha partitë politike, të cilat janë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duhet të bëhen pjesë e aksionit politik për parandalimin e kësaj tragjedie për shqiptarët".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›