Të rinjtë pa “Opinion”
Edi Lesi
Demokratizimi i “Opinion” i Blendi Fevziut, nga tempull ekskluziv i perëndive të mendimit, në një panel pluralist me më shumë fytyra dhe zëra, sigurisht që ka sjellë një impakt në komunikimin masiv, duke qenë se mbetet emisioni televiziv me më shumë autoritet publik në vend. (Konfirmimi më i fundit për këtë konkluzion është rasti Pango, një produkt në fakt i Top Channel, të cilin z.Fevziu e shfrytëzoi me mjeshtëri, duke i shijuar të gjitha sukseset dhe majat e audiencës në ekranin e tij, me shumë komoditet dhe pa asnjë shpezë. Gjë që bëri të na shtillej në mendje ajo shprehja e popullit, se ndonjëherë është më mirë të dish se sa të kesh).
Eshtë e qartë se në lëmin e politikës, të analizës dhe ekspertizës në fusha të ndryshme, tanimë skeptri nuk rrotullohet në ndoca duar, por edhe më gjerë. Çka sjell ide, informacion dhe mesazh të ri. Ngjan e pavend këtu të lëvdohet Fevziu, por nuk mund t’i mohohet atij merita për mbajtjen lart të krediteve të markës së tij dhe asaj çka përcjell në eter, si dhe për rinovimin e vazhdueshëm, një kërkesë kjo e kohës. Derisa Papa futet në You-Tube për t’iu përshtatur ritmeve të zhvillimit të shoqërisë, edhe ndonjë drejtues debatesh në Shqipëri mund t’ia lejojë vetes të bëjë përmirësime. Nëse çdo javë do të shohim në ekran të njëjtën siluetë dhe të njëjtin koment, zor se mund të frenohet efekti i refuzimit që lind natyrshëm të njerëzit.
Megjithatë, bashkë me prurjet pozitive, nuk mund të mos vësh re se ky liberalizim po nxjerr në pah disa figura me anët më të errëta të virtu-së dhe karakterit.
Hapja e debatit përkon fatalisht me afrimin e zgjedhjeve. Kësodore folësit janë të zhytur në këtë kontekst. Mbajtja e qëndrimeve pro dhe kundër njërës parti, është gjëja më normale që mund të ndodhë, kush pretendon që kontribuuesit e përleshjes mediatike parazgjedhore të jenë asiatër, thjesht nuk është në rregull.
Mirëpo, etja e disave për të hyrë në politikë, apo e ca të tjerëve që e kanë lëshuar tanimë njërën këmbë dhe po kërkojnë të brofin me tërësej në ato vise, po zbulon lakuriq një servilizëm të pështirë, nervangritës, që sado të përpiqesh t’i bësh “delete”, prapë të lë gjurmë në mendje.
Kohët e fundit, kemi parë disa të rinj, dhe sidomos disa gra, që krejt ndryshe nga sa pritet, po na bëjnë të duken me të vërtetë fisnikë edhe politikanët e vjetër më të përbuzur në vend. Të marrin gjak në vetull, i shtrëngohen kundërshtarit si të jetë ringu i peshave të rënda, dhe për çfarë… Për të mbrojtur publikisht liderët e tyre dhe për të fundosur thellë liderët e atyre. Krejt rrallë këtë apologji e shohim për ide, projekte, programe etj. Kthehet paneli në një kakofoni sharjesh dhe lëvdatash për aksh politikan, gjë që shoqërohet prore me kacafytje personale, aq sa edhe ndërhyrjet më energjike të Fevziut nuk e ndalin dot këtë shkulm frenetik.
Dhe nuk kërkon shumë kurajo për ta thënë troç, se e gjitha kjo bëhet për të zënë një vend në listë. Po, në listat e kandidatëve për deputetë që janë duke projektuar drejtuesit e partive kryesore në vend.
Në qoftë se duke bërë kështu, ky manifest do të njihet si investim dhe kësisoj këta të rinj rrisin shanset për të qenë në defterët e 28 qershorit, është vërtet për të ardhur shumë keq.
Personalisht jam i sigurt se asnjë syresh nuk është autorizuar drejtpërdrejt nga kryetarët për të bërë avokati apo për të parfumosur profilin e tyre në publik. Gjë që e shton hidhërimin kur mendon se ky shformim, ky servilizëm i pacak bëhet me vullnet të lirë. Edhe në qoftë kështu, drejtuesit e partive kanë në dorë të mos e lejojnë këtë shfaqje banale.
Ata mund t’u kërkojnë të rinjve të mbrojnë vizionet dhe përmbajtjet e politikave, por jo të merren me personalitetin e tyre, ndryshe do të nënkuptohej se për këtë gjë paskan nevojë. Duhet t’u bëjnë të qartë atletëve të rinj se kjo nuk është një maratonë ku kërkohen muskuj të shkrifët për të sharë e hedhur baltë, por mendje të shëndosha dhe ide. Vini re se si akuzat më të rënda për politikanët e maxhorancës dhe atyre të LSI-së vijnë pikërisht nga gjenerata e G99. Po ashtu, denoncimet më të forta ndaj PS-së dhe udhëheqësve të saj artikulohen nga më të rinjtë e PD-së.
Ky është një zhvillim i dëmshëm për politikën shqiptare nëse ata po shfrytëzohen, akoma më keq, nëse kanë zgjedhur vetë rrugën më të shkurtër për të shkuar në majë.