E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kakofonia rinore

Elsa Ballauri 

Me interes u përpoqa ta ndjek debatin “opinionist” të “Klan”-it një natë më parë. Një panel të rinjsh që herët a vonë do të jenë të pranishmit dhe protagonistët e politikës në Shqipëri - është një mundësi për të kuptuar se ç’mendojnë, cilat janë vizionet e tyre, sa e ndjejnë se barra që mund të marrin përsipër, është e barasvlershme me rëndesën e globit dhe jo me ëndrrën hipokrite të Bllokut… Biseda ishte shumë e vështirë të ndiqej dhe donte një durim të përsosur. Vura bast me veten për të parë shkallën time të durimit, sepse më duhej të krijoja opinion nga ajo që përjetoja personalisht. Nuk dua të merrem me anën qesharake të bisedës, të cilën do ta realizonte me shumë marifet ndonjë kolegu im që s’i mungon ndjenja e fortë e humorit. Dua të trajtoj anën dramatike të saj, që na jep një shans të mirë për ta analizuar të paktën me seriozitet.
Një nga gjërat kryesore është se kemi qenë dhe jemi shumë larg probleme të rinisë: gjithmonë të sipërfaqshëm, gjithmonë të pakujdesshëm, me vite të tëra të pavëmendshëm.
Me mundësi tejet të limituara, me probleme të mëdha çoroditëse në sistemin e shkollimit, me kërkesa të pakta për etikën dhe të mësuarit e eksperiencave jetësore nëpërmjet shembujve të mirë dhe shumë të mirë, me luftëra psikologjike të vazhdueshme me brezin e prindërve dhe gjyshërve dhe me pamundësinë e kohës dhe mundësive të tjera për të njohur vetveten, me ankthet e largimit dhe të të mbijetuarit, brezat e rinj të pas viteve ‘90, njëri pas tjetrit përjetojnë kaosin dhe ende janë të papërgatitur për të përballuar problemet e vendit.
Paneli i “opinionit” kishte një larmi të rinjsh nga parti të ndryshme, të cilët kishin ardhur me qëllimin e mirë të shpalosnin idetë e tyre dhe të partive, ose më mirë, ajo që do të ishte edhe më interesante, të shpalosnin idetë e partive nëpërmjet këndvështrimit të tyre, nëpërmjet filtrit të tyre origjinal… Për fat të keq, s’ishte ajo që duhej të ishte. Një kakofoni të tillë  zërash, mendimesh, meditimesh, akuzash s’e kisha hasur as edhe në tavolinat më të lirshme, ku të pish një kafe dhe të shkëmbesh mendime pa asnjë vëmendje për to, shpeshherë është gjëja më e lehtë dhe më e shpeshtë tek ne.
Deduksionet e përftuara nga biseda janë disa dhe unë dua të rendis ato të cilat na dhembin më shumë.
Për fat të keq, askush nga të rinjtë nuk lëvizi në idenë e tij në një formë origjinale, që duke mbrojtur parimet e partisë së vet të mund të krijonte hapësirën e mundshme të dhurimit të një strategjie me ide, me pasion, me vlerat e duhura jashtë demagogjisë dhe kufizimit. Jo vetëm kaq, por dukej sikur ata kishin frikë të dilnin jashtë binarëve dhe të shprehnin vetveten (supozoj se e posedojnë këtë...)
Ky të jetë modeli që ata kanë përftuar nga politikanët e vjetër dhe tani si ushtarë të bindur dhe të pastërvitur mirë përpiqen ta imitojnë për të sfumuar pasigurinë e tyre, apo është thjesht besnikëri ndaj shefave?... Sepse mënyra agresive e gjykimit, nuk linte shteg të mendoje se ishte mendimi i tyre.
Në mënyrë shumë absurde, ata nuk i lanë asnjë radhë njëri–tjetrit për të folur. Kjo formë e jashtme në dukje, përmblidhte edhe përmbajtjen e tyre. Mendoj që kjo paraqitje jashtë-brenda është e lidhur ngushtë me një kompleks arsyesh që janë personale dhe të ambientit, njëkohësisht.
Pothuajse të gjithë përfaqësuesit e thirrur në emision, janë të rinj që kanë studiuar jashtë dhe padyshim dinë se të jesh pjesë e një debati televiziv, ku të shohin të gjithë, është një përgjegjësi personale dhe profesionale. Është e natyrshme që vitet e shkollës në vende të cilat i kanë modelet e shkollimit shumë të përparuara dhe për t’u marrë shembull, janë një investim i rëndësishëm në jetën e kujtdo që e realizon këtë eksperiencë. Për fat të keq, nuk e pamë të transmetueshme nga asnjë prej të rinjve. A s’është e çuditshme që njerëz që teorikisht dinë të japin mendime dhe shembuj, praktikisht janë të paaftë t’i realizojnë ato? Duket sikur është kontaminimi i ambientit ku jetojmë i tillë, që i zhvesh njerëzit nga shumë mundësira që ata mund të kenë dhe i bën pasivë. Virtualja dhe konkretja janë dimensione shumë tipikë për shqiptarët. Ata jetojnë shumë mirë me të dyja. Fjala “sikur...”, është e pranishme në mendjen e shumë njerëzve në Shqipëri dhe në “sikur” besohet, pavarësisht se shpesh s’ka baza ku kjo të mbështetet.
Problemi i shkollimit gjithmonë merret në një formë shumë mendjelehtë tek ne. Harrojmë se të kesh një edukim të mirë nuk është thjesht të bësh një universitet jashtë vendit. Investimi për arsimin duhet filluar që në vitet e shkollimit elementar. Atje krijohet personaliteti, atje krijohen protagonistët dhe rrjedhimisht formohet baza e politikanëve të rinj. Vetëm duke pasur një themel të fortë të këtij lloj edukimi, ata që do të jenë pjesë e politikës do dinë se si të ndryshojnë politikat e vjetra. Përndryshe, do të bien viktimë e të tjerëve dhe e vetes së tyre dhe ajo që është më e keqja, do të zbehin modelin e ndryshimeve për të ardhmen.
Politika shqiptare nuk ka rregulla dhe të rinjtë në politikë, e kanë të vështirë, gati të pamundur të ofrojnë rregullat e tyre, edhe nëse i dinë ato. Kjo është një tjetër arsye që i bën ata naivë dhe shpesh qesharakë.
Një debat si ai që u shfaq do të ishte një rast i mirë për të treguar një model etike të pranueshme në politikën shqiptare. Në fakt ndodhi e kundërta. Është e çuditshme se sa pa kuptim ishte mania e protagonizmit dhe inati, ndonjëherë edhe personal, aq sa errësoi sytë e të gjithëve sikur asnjëri prej tyre të mos kishte dalë ndonjëherë 2 kilometra larg fshatit…
Debati është një shembull studimi për atë që po i ndodh politikës shqiptare. A ka një bashkëpunim të brezave të politikanëve, apo këta të rinjtë përdoren vetëm si gjyle për top për interesat e partive. A ka hapësira të domosdoshme brenda partive për t’iu krijuar kushte të rinjve që të jenë vetvetja? A ka një interes të shtetit për edukimin e vërtetë dhe jo atë fals për brezat e rinj, që duam s’duam ne do të jenë përgjegjësit e kësaj shoqërie dhe e këtij vendi që quhet Shqipëri...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›