Berisha: Kashari në një bashki
Kryeministri Sali Berisha premtoi dje në komunën e Kasharit se maxhoranca ka vullnet për ta kthyer atë në bashki. Në fjalën e tij përpara banorëve të Kasharit, Berisha tha se “kjo maxhorancë është e vendosur për ta kthyer këtë komunë në Bashki, pasi këtu jetën një komuniteti madh, zona ka një infrastrukturë të gjerë, ekzistojnë dy shkolla të mesme si dhe janë mbi 2000 biznese, disa prej të cilëve të mëdha”. Kryeministri inauguroi dje në këtë komunë shkollën e re Kashar-Qendër, një investim prej 1 milion euro, një prej shkollave model në këtë zonë me kushte optimale për të gjithë nxënësit. Kryeministri premtoi se Qeveria do të vazhdojë rritjen e pagave dhe të pensioneve, si dhe të investimeve për më shumë rrugë të reja dhe për zgjerimin e rrjetit social të shërbimeve. Kryeministri Sali Berisha deklaroi të shtunën, se “vota për një mandat të dytë të kësaj qeverie është votë për rritjen e mëtejshme të rrogave dhe pensioneve dhe shtimin e investimeve në vend”. “Kurrë ndonjëherë më parë ne nuk kemi investuar për të ardhmen se sa në këto 3 vjet”, u shpreh Kryeministri para banorëve të zonës. Sipas tij, “sot Shqipëria është më e qetë dhe më e sigurt se kurrë më parë në historinë e saj pasi është tashmë aleate e kombeve më të fuqishme të botës”. Duke i bërë thirrje banorëve të zonës, që të vazhdojnë ndryshimin e nisur, Kryeministri Berisha kërkoi votën për mandatin e dytë qeverisës.