Helikopterët, Berisha: Rama trilloi si me orën e Bush
BLEDAR HOTI
Vizita 24-orëshe në Francë e kryeministrit Berisha kthehet në një përplasje ndërmjet maxhorancës dhe opozitës. Kryeministri i cilëson si trillime të turpshme të Edi Ramës, shkrimet e qarkulluara, se vizita e tij u bë në këmbim të blerjes së helikopterëve ushtarakë nga një firmë franceze. Kreu i Ekzekutivit Berisha, pas vizitës një ditore në Francë, ku u takua me Presidentin Nikolas Sarkozi, ka reaguar ashpër ndaj disa artikujve në media, duke theksuar se “Ky është trillim i turpshëm i Edi Ramës, i cili nga ora e Bushit, kalon në shpifje dhe trillime të tilla”. “Të jeni të bindur se presidenti më ftoi mua në Elize, para së gjithash, për të shprehur mbështetjen e tij të plotë dhe totale ndaj këtij vendi, respekti e dashuri ndaj këtij kombi, por edhe një njohje miqësore që kemi. Kjo vizitë u bë në këtë moment, sepse, ç’është e vërteta jam përpjekur që të vinte në Shqipëri, por meqë axhenda e tij nuk e lejonte, më ftoi që të shkoja”, deklaroi Berisha. Kreu i qeverisë nuk ngurroi të sulmonte liderin e PS-së, Edi Rama, duke e lidhur edhe me vizitën e zhvilluar në qershor të vitit të kaluar të presidentit Xhorxh Bush. “Kurse ky zotëria, që çdo sukses i kundërshtarit të tij do ta përjetojë si ferr, si tmerr, si disfatë, pavarësisht se ajo është edhe interesi më i mirë i kombit dhe vendit të tij, ky përdor mediat në mënyrë barbare. Edhe atë lajmin e orës, e dini ju historinë se si u dërgua mesazhi, se ç’të bënte meqenëse nuk iu bë vizita në bashki, ta nxinte e ta bënte si flluskë. Kjo është si “ora e Bushit bis”. Gjatë vizitës së Kryeministrit në Francë, revista “L’Express” shkruante se qëllimi është blerja e 17 helikopterëve ushtarakë, ku e interesuar është kompania “Eurocopter”. Revista franceze “L’Express” shkruan se për këtë arsye ishte edhe vizita në Elize. “Eurocopter” është një kompani me shumicë aksionesh shtetërore franceze, synon që të marrë një pjesë të mirë të këtij tenderi, që parashikon të realizojë qeveria shqiptare. Kohë më parë televizioni “Top Channel” në një kronikë jepte të dhëna se edhe qeveria italiane donte që të merrte ajo fondin shtetëror për blerjen e 17 helikopterëve ushtarakë. Kompania italiane e interesuar për një tender të tillë ishte “Agusta”. Revista franceze në shkrimin e saj përmend se përveç italianëve në këtë garë është edhe amerikanët e “Sikorsky”, filial i grupit “United Technologies”. Vetë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa në deklaratë të kohë më parë për median tha se “afro 2 miliardë lekë janë parashikuar, që të përdoren për blerjen e helikopterëve të rinj, ndërsa afro 700 milionë lekë për blerjen e anijeve patrulluese”. Këto investime janë orientuar edhe në drejtim të modernizimit të infrastrukturës dhe që synon që forcat e armatosura. Pas anëtarësimit në NATO, qeveria kërkon të modernizojë ushtrinë shqiptare, për këtë shteti shqiptar ka parashikuar se 2 për qind e GDP-së të shkojë për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.