E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Çdo familje në fshat do kthehet në një biznes agrar

 

“Çdo familje në fshat nga një biznes agrar”. Ky ishte një premtim i ri i kryetarit socialist Edi Rama në prezantimin e programit qeverisës në fshatin Libonik të Korçës. “Ne do ta shikojmë familjen në fshat, si një familje fermere, e cila duhet të orientohet dhe kthehet në një biznes agrar dhe gjëja më e parë, që do të bëjmë është që çdo biznes agrar do ta përjashtojmë nga çdo taksë dhe nga çdo tatim fitimi në 3 vitet e para”, tha Rama.
Kryetari socialist shoqërohej në këto takime nga deputetët Pandeli Majko, Ben Blushi e Alfred Dalipi. Në këtë takim kreu socialist ka prezantuar hapat që do të ndiqen nesër në qeverisje nga socialistët, për të bërë të mundur, një fshat të mirëqenë. Në shpalosjen e Programit të ri Edi Rama bëri të ditur një nga pikat e platformës socialiste për fshatin. Duke kujtuar të gjithë problematikën e dëgjuar për dy vjet në bashkëbisedim me banorët e fshatit, për pesticide që dëmtojnë prodhimin, apo farëra që po ashtu japin produkt të pa tregtueshëm, Rama premtoi ngritjen e Agjencisë së Biznesit Agrar. “Do të ngremë një Agjenci të Biznesit Agrar, e cila do të ketë si funksione kryesore, monitorimin dhe garantimin e cilësisë së farave, fidanëve, pesticideve, të fertilizuesve, informacionin mbi tregun dhe çmimet, shërbimet bujqësore dhe veterinare për fshatin, garancinë e origjinës së produkteve dhe punën për profilizimin e biznesit agrar dhe rajoneve bujqësore”, sqaroi kryetari socialist. Rama përsëriti masën financiare, e cila sipas tij do të zhvillojë biznesin në fshat, heqjen e taksës mbi fitimin për çdo biznes të ri për tre vjet. Premtimi tjetër i Edi Ramës është për qeverisje me sy e me veshë nga grupet e interesit. “Themeli i kësaj rruge të re është dialogimi. Ashtu siç kemi 18 muaj që lëvizim nëpër Shqipëri, që vijmë tek ju për t’ju dëgjuar sot në opozitë, ashtu do të lëvizim dhe do të vijmë tek ju, për t’ju folur dhe dëgjuar e për të vendosur së bashku edhe nesër kur të jemi në qeveri”, tha Rama. Kryetari i Partisë Socialiste është shprehur i bindur në fitoren e 28 qershorit dhe detyra parësore për qeverisjen e nesërme është zbatimi i menjëhershëm, të nesërmen e fitores, të dokumentit të ri qeverisës. Gjatë vizitës në komunat e qarkut Korçë Rama është ndalur edhe në një familje për të bashkëbiseduar më gjatë për projektin e ri të socialistëve.              j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›