Bregu: Qeveria uli varfërinë
Zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu deklaroi dje, se “politikat e ndërmarra nga kjo qeveri për uljen e nivelit të varfërisë në vend kanë qenë të suksesshme”. Përmes një deklarate për shtyp, znj. Bregu solli në vëmendje studimin e Bankës Botërore, PNUD-it dhe INSTAT-it për matjen e nivelit të jetesës. Kjo analizë e tipologjisë së varfërisë, sipas znj. Bregu, “i ofron qeverisë të dhënat reale të një situate pozitivisht në ndryshim dhe e orienton drejt një detyrimi: reduktimin e treguesit të varfërisë relative me 70% dhe eliminimin e plotë të varfërisë ekstreme në vend”. Duke iu referuar shifrave të këtij studimi, ajo vuri në dukje se “nga 18.5% që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4 % të popullsisë”. “Kemi një rënie me mbi 35 % në vitet 2005-2008, nga një rënie me 27 % që ishte shënuar në periudhën 2002-2005”, tha Bregu. Ky studim, sipas zëdhënëses së qeverisë, “ka konfirmuar se kanë qenë politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit”.