E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monolog apo dialog?

Edmond Tupja 

Ka disa ditë që opozita shqiptare i ka braktisur punimet e Kuvendit, çka nuk është fort për t’u habitur. Preteksti i saj është mospranimi, nga ana e qeverisë, pra, e shumicës parlamentare, për t’i pajisur falas disa kategori shoqërore me letërnjoftime. Madje, me këtë rast, opozita përdori shprehjen “taksë ...elektorale” për 200 lekët, që një i varfër duhet të paguajë për letërnjoftimin e ri (Taksë e çuditshme që na u paguaka një herë në... dhjetë vjet!). Teksti është 28 qershori, pra zgjedhjet legjislative. Rrjedhimisht, konteksti është pjesëmarrja ose jo e shqiptarëve në këto zgjedhje. Nënteksti është, me siguri, lufta e ashpër për pushtet midis palëve të interesuara deri në kllapi.
Një analizë e ndërthurur e pretekstit, tekstit, kontekstit dhe nëntekstit në fjalë nga ana e politologëve, sociologëve dhe psikologëve të kualifikuar e të paanshëm – nëse bëhet ndonjë ditë, qoftë edhe me vonesë (“Më mirë vonë se kurrë” e ndoshta “Më mirë vonë se kurvë”, ngaqë politika, siç ka thënë, thotë e do të thotë populli i ndershëm shqiptar, të paktën edhe për disa dhjetëvjeçarë, fatkeqësisht, na qenka e tillë) – kjo analizë, pra, do të dilte më e plotë po qe se do të mbante parasysh dikotominë monolog/dialog në gjirin e Kuvendit tonë.
Për aq kohë sa opozita nuk i kishte braktisur punimet e Kuvendit, të krijohej përshtypja se ekzistonte njëfarë dialogu mes saj dhe shumicës, sigurisht një dialog shurdhësh herë pas here (i tipit “Ku po shkon, për peshk? – Jo, po shkoj për peshk. – Ah, kujtova se po shkoje për peshk”, që mund të aktualizohet si vijon: “Ku po shkon, të marrësh letërnjoftimin e ri? – Jo, po shkoj të marr letërnjoftimin e ri. – Ah, kujtova se po shkoje të merrje letërnjoftimin e ri.”). Ky lloj dialogu, ku gjithsecili dëgjon vetveten kryesisht, para së gjithash e mbi gjithçka, që ngjan më shumë me një gargarë fjalësh, duket më tepër si një monolog i dialoguar, ku spikasin disa elemente me kahje të kundërt, por gjithsesi pa ndonjë qëllim apo dëshirë komunikimi të mirëfilltë. Thënë ndryshe, kemi të bëjmë me një monodialogim.
Tani që opozita i ka braktisur punimet e Kuvendit, shumica parlamentare po monologon përnjëmend, ashtu siç monologon opozita në selitë e saj apo në takime me zgjedhësit e në konferenca për shtypin. Këto monologë të secilës palë, jo vetëm që nuk bien në vesh të shurdhët, por e shtyjnë palën tjetër të kundërveprojë me monologë të reja, kështu që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një dialog të sfazuar apo, më saktë, të monologuar, ku mungon, thuajse tërë kohën, edhe qëllimi, edhe dëshira për të komunikuar realisht. Thënë ndryshe, kemi të bëjmë me një diamonologim.
Kjo lojë të kujton vagëllimthi lojën e maces me miun, por me një ndryshim: ndërsa dihet se si përfundon loja e dy kafshëve, ku fitimtare del vazhdimisht e para, loja e opozitës me pozitën dhe anasjelltas, nëpërmjet monologut të dialoguar ose dialogut të monologuar, nuk dihet se si mund të përfundojë. Sidoqoftë, le të shpresojmë që nuk do të përfundojë si në vitin e mbrapshtë 1997, ku edhe monologun, edhe dialogun e shumëzuan me zero krismat e armëve (Të mos harrojmë se prelud i tronditjes kombëtare shqiptare të vitit 1997 qenë, ndër të tjera, zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe, rrjedhimisht, braktisja e punimeve të Kuvendit nga opozita e atëhershme).
Jam i mendimit modest që një riekuilibrim i raportit monolog/dialog në dobi të këtij të dytit, do ta shmangte rrezikun, sado të vogël, të përsëritjes së Historisë. Me këtë rast, më kujtohet thënia e një personaliteti të huaj të para dyzet vjetëve, sipas të cilit “Historia nuk përsëritet, ajo belbëzon”. Mbase në rastin shqiptar të zgjedhjeve të 28 qershorit do të ishte e parapëlqyeshme që vërtet Historia të belbëzonte (sepse, pas belbëzimit, vjen herët a vonë fjala, pastaj fjalia e paragrafi dhe, më në fund, dialogu kur ekziston vullneti për ta dëgjuar tjetrin) sesa të përsëritej, sidomos në variantin e saj të vitit të mbrapshtë 1997. Për këtë arsye – por ndoshta edhe për ndonjë tjetër – do të ishte e arsyeshme që preteksti i përmendur në krye të këtij shkrimi të rrëzohej sa më shpejt, që tekstit t’i viheshin sa më qartë pikat mbi i, që konteksti të bëhej sa më i favorshëm për motivimin elektoral të shqiptarëve dhe që nënteksti të shtjellohej me sa më shumë “fair play”. Vetëm në këtë mënyrë dialogu mund ta zëvendësojë deri diku me sukses monologun në lojën e ndërlikuar të demokracisë së brishtë shqiptare të këtij fillimshekulli në krizë të përgjithshme të të gjitha vlerave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›