Italianët e “Livolsi & Partners” në Tiranë, interes për superprojekte
Shqipëria mbetet një vend tërheqës për investitorët e huaj. Sektori energjetik dhe ai financiar mbeten dy pikat më të forta, ku investitorët e huaj duan të investojnë paratë e tyre. Për herë të parë ka mbërritur në Shqipëri një grup përfaqësuesish të kompanisë italiane “Livolsi & Partners”, të kryesuar nga Aldo Livolsi. Përfaqësuesit e kompanisë italiane kanë zhvilluar takime më drejtuesit më të lartë të qeverisë shqiptare, të cilët i kanë njohur me zhvillimet më të fundit në vend. Gjatë një takimi të zhvilluar me ta zëvendëskryeministri Genc Pollo i ka njohur investitorët e huaj me reformat e ndërmarra nga qeveria dhe se falë tyre kanë arritur të krijojnë një stabilitet politik dhe ekonomik në vend. Në një kohë kur shumë ekonomi të mëdha janë përfshirë nga kriza botërore Shqipëria është ndër të paktat vende, që këtë vit ekonomia do të ketë rritje. Sipas Pollos në këto kohë krize situata financiare në vend është goxha pozitive. Përfaqësuesi i grupit të invesitorëve italianë, Livolsi deklaroi se duhet të vendoset konkretisht për realizimin e projekteve që kanë me vete, për të vepruar sa më shpejt, duke kaluar nga fjalët te faktet.
Në takimin me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, investitorët italianë u njohën me nga afër me reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në lehtësimin e barrierave fiskale për biznesin e huaj. “Në sajë të reforma të ndërmarra të lehtësirave fiskale besimi i biznesmenëve ka ardhur duke u rritur. Kemi marrë masa të jashtëzakonshme ndaj luftës kundër korrupsionit dhe burokracive, kur erdhëm në pushtet shpallën Shqipërinë si vendin më atraktiv për biznesin, përmirësuam kuadrin ligjor për të stimuluar biznesin. Kemi taksën më të ulët në Evropë prej 10 për qind, kemi ulur periudhën ne regjistrimit të biznesit nga 40 ditë që ishte në 1 ditë, duke paguar vetëm 1 euro, taksat paguhen online, po ashtu dhe detyrimet doganore, kodi fiskal ka pasur ulje”, deklaroi Basha. Kryediplomati theksoi se Shqipëria ka ligjin më të mirë për koncesionit. “Si rezultat i këtyre reformave me firmat kemi firmosur 3 miliardë euro kontrata. Gjatë kësaj periudhe kemi investuar afro 18% e GPD në infrastrukturë në rrugë dhe do të kemi infrastrukturën më moderne të Ballkanit Perëndimor. Synimi ynë është që Shqipëria të jetë si një kuti shpërndarëse për Ballkanin Perëndimor, një qendër logjistike për Ballkanin, ku Italia është partneri kryesor strategjik”, tha Basha. Ndërsa theksoi se mundësitë janë të mëdha për të investuar në fushën energjetike, pasi vetëm 40% e burimeve shfrytëzon aktualisht. Përfaqësuesi i firmës italiane tha se ka disa projekte gati për të investuar në Shqipëri, do të insistojë që të vërë në jetë disa prej tyre. “Për ne tre gjëra janë të rëndësishme qartësi e legjislacionit, pozicioni fiskal dhe eficenca”, tha Livolsi. Ministri Basha theksoi se “Qeveria është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë, si dhe të krijojë lehtësira për parqet energjetike”.
Një bankë tregtare inovatore
“Livolsi & Partners” është një bankë tregtare novatore. E fokusuar ne ndihmën e korporatave, institucioneve qeveritare, dhe sipërmarrjeve individuale për të përmbushur objektivat e tyre të rritjes. E themeluar në vitin 1998 nga Uvaldo Livolsi dhe një grup menaxherësh me eksperiencë financiare dhe industriale, “Livolsi & Partners” është e pavarur nga çdo grup industrial apo financiar. “Livolsi & Partners” u siguron klientëve të vet zgjidhje të përshtatshme, të integruara, në Financë korporate, IPO dhe komunikim korporate. “Livolsi & Partners” ka pjesën më të madhe të aksioneve të kompanisë 55.5 % ndërsa banka “Gottardo” 40 % dhe siguron të gjitha shërbimet administrative, mbështetjen bankare dhe bashkëpunimin. Kryetari i saj është Emilio Giacomotti, ka 4.5 %, është menaxher me një eksperiencë të gjatë rekordi në nivele të larta të institucioneve të rëndësishme financiare.
Takim me Mimën e Bozdon
Investitorët italianë kanë zhvilluar një takim me zëvendësministrin e Financave Mima dhe atë të Energjetikës Bozdo. Gjatë takimit, Mima i njohu investitorët e huaj më sistemin e taksave në vend dhe përfitimet që ka biznesi. Ndërsa Bozdo theksoi edhe një herë potencialet që paraqet sektori energjetik në vend.