E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtesë në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes/ Vuajtjet e gjuhëtarit të madh, Selman Riza, që e deshte aq shumë kombin

Dy elemente thelbësore të jetës së tij ia bënë jetën ferr një njeriu me karakter dhe me aftësi të jashtëzakonshme, siç ishte prof. Dr. Selman Riza: Se ishte kosovar, me një atdhedashuri të zjarrtë. Dhe, së dyti, se ishte bashkënxënës me Enverin në Liceun francez të Korçës.

Duke anashkaluar rendin kronologjik, dihet mirë se të ishe i njohuri i Enver Hoxhës, - aq më tepër t’i bëje hije atij si bashkënxënës i shkëlqyer përkundrejt mediokritetit të diktatorit të ardhshëm, - kjo do të ishte burim fatkeqësish të pandashme. Selman Riza ishte nxënësi model, intelekti i të cilit spikaste në mënyrë të ndritshme në lëndët humanitare, në lëndët shkencore dhe në gjuhët e huaja. Bashkënxënësit e respektonin dhe e donin për korrektesën, për ndershmërinë dhe për modestinë. Thoshin për Selmanin se pohonte pa asnjë kompleks se në latinisht nuk doli dhe aq mirë në semestrin e parë. Por iu përvesh me aq përkushtim kësaj lënde sa, në mbarim të vitit, doli i pari i klasës.

Vedat Kokona e përmend me admirim në librin e tij të kujtimeve „endur në tisin e Kohës“. Ja ç’thotë Vedati në këto kujtime interesante, që japin një pasqyrim kohor besnik, të këndshëm dhe të bukur nga ana letrare:

„Një ditë para se të linin Shqipërinë profesorët francezë, Drejtoria e liceut u shtroi një darkë lamtumire në Hotelin Pallas. Me sa më kujtohet, në këtë darkë ishin profesorët francezë me drejtorin teknik të liceut De Kurvilin, Kostaq Cipoja, Ligor Serafimi, Selman Riza, Fejzi Dika, Enver Hoxha dhe unë. Fjalën e lamtumirës e mbajti Selman Riza, ish-nxënës i shkëlqyer i këtij liceu dhjetë vjet më parë dhe tani profesor po aq i shkëlqyer i frëngjishtes. Fjalimi i tij, në një frëngjishte të përkryer, u prit me admirim nga të gjithë, sidomos nga De Kurvili i cili tha se duhej të matej mirë për t’iu përgjigjur ashtu si duhej këtij fjalimi të bukur të Rizës. Ne, që e njihnim prej kohësh, mburreshim për këtë  arsimtar të rrallë, që na zbardhte faqen. Enveri, që s’kish si matej me të, e futi në burg për të vetmen arsye se ishte shqiptar dhe jo komunist“ (Libër i cituar, f. 100). Vedati dhe shokët e tij mburreshin me Selmanin, por jo Enveri i cili, që në atë kohë, kishte një xhelozi të shfrenuar ndaj atyre me të cilët nuk matej dot, - që të përdorim shprehjen e Vedatit.

Tani le të vijmë te pika e parë, që ka lidhje me origjinën. Selmani ishte kosovar. Ishte krenar që ishte nga Gjakova, që kishte luajtur një rol aq të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare e i kishte dhënë figura të rëndësishme Lidhjes së Prizrenit. Por edhe Gjakova ishte krenare për birin e saj që ishte nga më të kulturuarit, me frëngjishten, gjermanishten, italishten, serbokroatishten, latinishten, greqishten e vjetër, të cilat i zotëronte si gjuhën e nënës. Si kosovar, i vuri vetes për detyrë që të shkollohej si rrallëkush, që dijen e tij ta vinte në shërbim të kombit. Që në moshën 13-vjeçare, në vitin 1922, kalon fshehurazi kufirin dhe vjen në këmbë në Tiranë. Qeveria shqiptare, që ishte kombëtare dhe nuk i shiste interesat e atdheut si Enveri që u bë vasal i emisarëve të Titos, e vuri menjëherë në shkollën plotorë 6-vjeçare „Naim Frashëri“, të cilën e mbaroi për tre vjet!  Po me bursë të shtetit, vazhdoi Liceun Kombëtar të Korçës, në të cilin u bë nxënësi më i dëgjuar për përparimet në mësime. Edhe këtu i kapërcente klasat në mënyrë të rrufeshme, - do të thoshim. Të nëntë vitet e këtij liceu, i mbaroi në gjashtë vjet! U diplomua shkëlqyeshëm në lëndën e matematikës. Edhe jashtë vendit tonë, në vende nga më të përparuarat, do të quhej thuajse e paprecedent që 15 vjet shkollë të kryhen për 9 vjet!

Një student i tillë mund të quhet, pa teprim, fenomenal!

Drejtori teknik i Liceut Kombëtar të Korçës iu drejtua personalisht ministrit të Arsimit, më 25 maj të vitit 1931, duke i thënë: „Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundte me të njëjtën lehtësi, të kryente çdo degë të studimeve universitare; dhe unë nuk dyshoj që ai të mos i bëjë më vonë  nder atdheut me emrin e tij“ (Nga libri më i mirë që ka dalë për S. Rizën, me autor Engjëll Angonin, f.18. Citohet edhe arkivi me fondin dhe dosjen përkatëse, që dokumenton këtë të dhënë). 

Po me bursë vazhdoi studimet në universitetin e Tuluzës (Francë), ku në tri vite (1932-1935), mbaroi shkëlqyeshëm dy fakultete njëherësh! – të Letërsisë dhe të Drejtësisë. I mahniti profesorët në Francë, ndërsa Enveri nuk jepte dot provimet, gjersa ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, i preu bursën.

Nëse do të ekzistonin në atë kohë regjistrimet në gines, me siguri që Riza do të dilte kampion! Por ky kurrikulum i mahnitshëm nuk mbaron endé: gjatë studimeve universitare në Tuluzë, ai bëri një specializim të suksesshëm për gjuhën gjermane në qytetin Hajdelberg të Gjermanisë.

*  *  *

Shumëkujt do t’i shkonte në mendje sesi do të trajtohej dhe sa mirë do të shpërblehej një studiues i tillë i shkencave gjuhësore, po të shkonte të punonte në Europën Perëndimore. Por jo, ai mbeti këtu, paçka se do të vuante ai, - dhe familja e tij, - në një skamje që nuk iu nda gjer në mbarim të jetës. Ai ndjeu përndjekjen dhe poshtërimin e një regjimi mizor. Enver Hoxha e denigroi jo vetëm se S. Riza mbetej gjithmonë një shkallë krahasuese për Enverin, por edhe se ky ishte antikombëtar. Të gjithë veprimtarinë patriotike të Selman Rizës, e shihte me syrin e Miladin Popoviçit. Nuk mjaftuan vuajtjet në Santotene, kur Enveri bridhte kabareve. Selman Riza jetoi në një kohë të zymtë, ku i ndershmi nëpërkëmbej. Këtë kohë e përshkruan në mënyrë mbresëlënëse, miku i Selmanit, Vedati, në kujtimet e tij:

„Shqiptari vërtet mërgohej nga vendi i vet, por mërgohej si zotni dhe, pasi punonte disa vjet, kthehej si zotni dhe jo i përzënë me shkelm në prapanike. Mërgimi ishte i derëçelë me dy kanate në kohën e „tiranit“ Zog, kur mund të shkoje dhe kur të doje, në të gjithë botën. Por ai, i ligu, e mbylli këtë vend dhe e shndërroi në një bodrum të fëlliqur, në një kënetë të ndotur, ku trokasin natë e ditë bretkosa të mjera. Afro gjysmë shekulli në errësirë, në këllirë, në mashtrime, gjurmime, spiunime, internime, pushkatime, kur bije në shtrat me frikë dhe ngriheshe me frikë; kur të dridhej zemra kur binte porta; kur prisje me gjak të ngrirë kur jepeshin triskat e Frontit, - se mos nuk përmendej emri yt në emrin e „të zgjerdhurve“, - se kjo trsikë që s’të hynte fare në punë kur e kishe, të prishte shumë punë kur nuk e kishe; që të merrte më qafë jo vetëm ty që s’e kishe, por të gjithë familjen; kur bëheshin mbledhjet e lagjes ku duhej të flisje dhe të thoshe ato që s’doje t’i thoshe; kur ngriheshe në tre të natës që të zije radhën për të blerë një kile mish me krimba, të rreshkur e të  rrëgjuar në frigoriferët për shumë vite, ose dy shishe qumësht, duke pritur jashtë, në shi, derisa të vinte shitësja; kur suleshe për të zënë radhën e gjizës; kur ktheheshe në shi duarzbrazur se s’kishte më qumësht,  pasi kishe pritur me orë... Cila penë, cili penel, cila sinfoni do të jetë, vallë, në gjendje të japë atë tablo mjerimi që e kaploi popullin e mjerë dhe e ktheu në një kope të bindur, të uritur, të poshtëruar? As Katilinat a Kaligulat (Katilina, princ romak, autori i një grushti shteti kundër senatit; Kaligula, tiran romak, që sundoi egërsisht)  s’kanë si i qasen atij që mbajti në skllavërinë më përbindëshe tre milionë varfanjakë afro gjysmë shekulli!

Brezat që do të vijnë s’do të besojnë se në mes të shekullit XX kishte një vend në Europë që nuk e zinte dielli, ku dita ngrysej e gdhihej në errësirën më të thellë të shekujve“

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›