Qeveria: Do heqim barrën fiskale për arsimin privat
Lehtësim i barrës fiskale për arsimin privat, ky është premtimi që kreu i qeverisë Sali Berisha, ka bërë disa ditë më parë. "Arsimit privat, që është shumë ngushtë i lidhur me interesin publik, i takon edhe një trajtim i veçantë fiskal, që ne do ta bëjmë", ka deklaruar Berisha. Duke folur për zhvillimin e arsimit në vend, ai ka vënë theksin edhe mbi cilësinë e diplomave që duhet të ofrohen. "Sfida e universiteteve shqiptare është cilësia dhe ajo kërkon përqendrim të madh. Kjo është e vërtetë, si për universitetet publike, ashtu edhe për ato private. Është tërësisht e palejueshme të paragjykosh, madje është shumë e dëmshme të nxjerrësh konkluzione mbi paragjykimin. Do të bëhet akreditimi dhe këtij vlerësimi do t'i nënshtrohen të gjitha universitetet", është shprehur disa ditë më parë kryeministri. Ai theksoi, se institucionet arsimore private do të kenë mbështetjen maksimale të qeverisë.