E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Kërkesat e Ramës, anti ligjore, nuk ka kompromis për zgjedhjet

Kryeministri Sali Berisha i ka dhënë fund çdo pretendimi dashakeq të Edi Ramës dhe klikës së tij masovike, porsa u takon zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Gjatë fjalës së sotme në parlament, pas apelit të Vangjel Dules për konsensus politik, Berisha tha se kërkesat e Ramës bien ndesh me ligjin, ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjë diskutim pozitë-opozitë për zgjedhjet, përsa kohë gjykata i ka certifikuar ato. “Zoti Dule, i thuaj kryetarit të opozitës, i cili shpif gjithë kohës ndaj meje, se me asnjë forcë në botë nuk do të mund të nxish verdiktin e BE. Unë jam gati për kompromis por atë që kërkon ai nuk e bëj. Unë nuk mund të dal mbi vendimin e gjykatës. Ky vend funksionon mbi bazën e ligjeve demokratike”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë i bëri thirrje Ramës që të kthehet në Kuvend në mënyrë që edhe opozita të mbështesë lëvizjen e lire të qytetarëve shqiptarë në Evropë. “Zoti Rama, vendi yt është në Parlament, në mbështetje të lëvizjes së lirë”, theksoi më tej Berisha. Kreu i qeverisë foli në Kuvend edhe për buxhetin e 2010-ës, të cilin e vlerësoi si buxhetin e përmbushjes së sfidave të mëdha në prag të përfitimit të lëvizjes së lirë dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeministri specifikoi rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve, ndërsa theksoi se do i jepet një goditje e rëndë varfërisë, duke e çrrënjosur skamjen nga Shqipëria. Investimet në infrastrukturë, tha kryeministri, do të njohin dimensione të reja, teksa përmendi një seri veprash madhore si Boshti i Jugut, Rruga e Arbërit, Unaza verilindore dhe juglindore, Tiranë-Elbasan, Levan-Vlore dhe Levan-Tepelenë. Gjithashtu, edhe infrastruktura rurale do të jetë në fokus të buxhetit të ardhshëm. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›