Turqia planifikon të zgjerojë tubacionin e kompanisë së gazit natyror “Nabucco” në Shqipëri dhe Itali

Gazsjellësi "Nabucco", është një nga projektet më të rëndësishme të BE-së
Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka deklaruar se është në tratativa për të zgjeruar tubacionin e gazit natyror “Nabucco” në Itali dhe Shqipëri. Këtë deklaratë Erdogan e bëri në kryeqytetin italian ku po merr pjesë në samitin e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO). Sipas tij, Nabucco është një nga projektet më ambicioze të Bashkimit Evropian. “Nabucco është një nga projektet më të rëndësishme të BE-së. Sigurisht që ky projekt ka tre partnerë. Jeni të qartë se ne sigurojmë gazin natyror në Greqi dhe tani, ne jemi duke u përpjekur të zgjerojmë rrjetin e tubacionit të gazit natyror në Itali dhe Shqipëri. Ne nuk e konsiderojmë projektin Nabucco, si një alternativë të Rrjedhës Jugore. Ata janë projekte të veçanta nga njëri tjetetri. Kur Rryma jugore dështon të plotësojë kërkesën me energji të Evropës, Nabucco do të jetë një alternativë me të vërtetë shumë e rëndësishme”, u shpreh ai. Plot 3.300 kilometra projekt i Nabucco-s, përfaqëson gazsjellësin që lidh rajonin Kaspik, Lindjen e Mesme dhe Egjipti nëpërmjet Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë me Austrinë dhe më tej me Evropën Qendrore dhe tregjet e Evropës Perëndimore me gaz.