E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave, Meta: Qeveria do mbajë premtimin

Brenda 6 mujorit të parë të 2010-s merret vendimi për hyrjen e Shqipërisë në zonën “Shengen”


Qeveria do të mbajë premtimin e dhënë për liberalizmin e vizave brenda 6 mujorit të parë të viti 2010. Kështu u shpreh sot zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, gjatë seancës dëgjimore për liberalizimin e vizave, në mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Integrimit dhe Komisionit të Jashtëm. Meta u shpreh se ekzekutivi shqiptar, do të realizojë çdo premtim përsa u takon vizave dhe integrimit evropian. “Brenda vitit që vjen do të merret vendimi për liberalizimin e vizave. Ekziston vullneti i qeverisë për të realizuar këtë detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Meta. Përsa u takon kritereve për të përfituar heqjen e regjimit të vizave, Meta veçoi si jetike pajisjen e qytetarëve me pasaportat e reja biometrike. Sipas shefit të diplomacisë deri tani janë prodhuar 260 mijë pasaporta biometrike, shifër kjo shumë e lartë krahasuar me vendet e tjera. Duke komentuar bojkotin e opozitës dhe reprezaljet e Edi Ramës ndaj proceseve të integrimit të Shqipërisë, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, vuri në dukje se opozita duhet të lerë menjanë interesat e dyshimta dhe të vendosë në plan të parë bashkëpunimin me mazhorancën. “Jemi gati të diskutojmë çdo gjë me opozitën. Roli i opozitës për vizat dhe integrimin është i pazëvendësueshëm”, deklaroi Meta. Vetëm një ditë më parë ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, gjatë takimeve të tij me krerët më të lartë të shtetit, u shpreh se brenda 6-mujorit të pare të 2010 do të merret vendimi për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, ndërsa premtoi mbështetje të pakushtëzuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›