Berisha: KiE, model demokratik për shumë vende
TIRANË Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim pune me Luca Volonten, senator italian dhe njëkohësisht president i Grupit të Partive Popullore Europiane në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Këshillit të Europës dhe institucioneve të tij për kontributin që po jep në vendet arabe, duke ndarë eksperiencën më të mirë në forcimin e demokracisë në këto vende. Ndërkohë, Kryeministri theksoi se pranvera arabe u ka hapur këtyre vendeve një këndvështrim të ri mbi shpresën, lirinë dhe demokracie dhe se vlerat e KiE do të shërbejnë si një model për progresin demokratik të këtyre vendeve. Gjithashtu, në takim, kryeministri Berisha garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në konsolidimin e demokracisë në vendet arabe dhe do të inkurajojë respektimin e të drejtave të njeriut edhe pas marrjes së Presidencës së Këshillit të Ministrave në Këshillin e Europës vitin e ardhshëm.