E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria ruan vlerësimin B1, borxhi stabël

SHKRUAN: Blerina Hoxha 25-12-2011 11:54

Në vlerësimin e fundit për Shqipërinë kompanitë rikonfirmojnë vlerësimin e tyre të njëjtë për Shqipërinë (B1 nga Moody’s dhe B+ nga S&P), si dhe këndvështrimin e tyre afatmesëm si “stabël” për ekonominë shqiptare

Shqipëria ruan vlerësimin B+ për kapacitetin e shlyerjes së borxhit, sipas vlerësimit më të fundit nga kompanitë me prestigjioze të vlerësimit të profilit të riskut të letrave me vlerë të qeverive, Mood’s investors Service (Moody’s) dhe Standard and Poor’s (S&P). Lajmin e ka bërë të ditur dje Ministria e Financave, duke sqaruar se në këto dy raporte, kompanitë rikonfirmojnë vlerësimin e tyre të njëjtë për Shqipërinë (B1 nga Moody’s dhe B+ nga S&P), si dhe këndvështrimin e tyre afatmesëm si “stable” për ekonominë shqiptare. Të njëjtin nivel vlerësimi për borxhin vendi ynë ka marrë gjatë tri viteve në vazhdim, ndërkohë që të gjitha vendet e tjera të Europës dhe rajonit kanë pësuar zhvlerësime të ndjeshme në kapacitetet e tyre për shlyerjen e borxhit si rezultat i krizës që po kalon eurozona. Kompanitë e vlerësimit të riskut analizojnë situatën ekonomike të rajonit dhe më gjerë, duke theksuar se ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria ka demonstruar një rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelin e 4% në vitet e fundit. Përveç rritjes ekonomike të viteve të fundit, kompanitë vlerësojnë veçanërisht potencialin e ekonomisë shqiptare për të pasur rritje të qëndrueshme dhe të lartë në vitet në vijim, konsolidimin e vazhdueshëm fiskal me uljen në nivelin 3% të deficitit, si dhe seriozitetin e qeverisë për të mbajtur nën kontroll dhe ulur gradualisht nivelin e borxhit publik. Moody’s dhe S&P vlerësojnë më tej dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar si likuid, i mirëkapitalizuar dhe me rritje të vazhdueshme të depozitave. Lidhur me të ardhmen europiane të vendit, kompanitë e vlerësimit të riskut çmojnë potencialin e Shqipërisë për të marrë së afërmi statusin e vendit kandidat, faktor që nëse kombinohet me uljen e raportit të borxhit ndaj PBB, si dhe me zbutjen e risqeve të jashtme financiare, mund të sjellin rritjen në një nivel më të lartë të vlerësimit të riskut sovran të Shqipërisë. Ky vlerësim vjen në një kohë kur thuajse të gjitha vendet e rajonit dhe të eurozonës janë përballur me ulje të vlerësimit të profilit të riskut, apo minimalisht me përkeqësim të këndvështrimit të prospekteve afatmesme të tyre nga “stable” në “negative“. Ndërsa Agjencia e Vlerësimit të kreditit Fitch, në raport-parashikimin për Europën Qendrore dhe Lindore për vitin 2012, thekson se përkeqësimi i parashikimit për situatën financiare dhe ekonomike të eurozonës po imponon parashikim për dobësi të rritjes ekonomike, vunerabilitet financiar dhe reduktim të bonove sovrane për rajonin e Europës Lindore. Në raport, agjencia thotë se “Europa Qendrore dhe Lindore, në këto momente është rajoni më i ekspozuar ndaj krizës në eurozonë”, për shkak të lidhjeve të forta tregtare, lidhjeve të sistemit bankar, dhe në disa raste edhe portofolat e investimeve, risqet monetare dhe kërkesat e përgjithshme për financim të huaj. Raporti konfirmon ndryshimin nga pozitiv në të qëndrueshëm, të parashikimit të bërë në muajin tetor. Ky ndryshim preku 7 vende ku përfshihen, Çekia, Bullgaria, Hungaria, Lituania, Letonia, Turqia dhe Ukraina. Agjencia ka ndryshuar edhe parashikimin për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, nga 4.1% të bërë në raportin e muajit qershor, në 2.8% në raportin e dy ditëve më parë. Ky ndryshim reflekton reduktimin e parashikimit për ekonominë në eurozonë nga 1.8% në raportin e muajit qershor, në 0.4% në raportin e një jave më parë. Agjencia argumenton se ekonomitë e rajonit të Europës Lindore do të preken veçanërisht nga rritja e dobët e eksporteve në eurozonë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›