Berisha: Kjo do jetë një fushatë në dietë. Do marr me qera veturën time
Kryeministri Sali Berisha arriti kulmin e hipokrizisë kur tha se kjo fushatë e mazhorancës do jetë fushatë në dietë. Ai iu referua kryesisht përdorimit të makinave në fushatë, duke thënë se nuk do ketë asnjë makinë zyrtare në fushatë. Vetë kam propozuar të marr makinën time zyrtare me qera, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se policia do kontrollojë lëvizjet e makinave sipas një urdhri. Berisha ftoi edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit të bëjë kontroll të shpenzimeve. Parlamenti ka caktuar fondet për partitë. Donacionet kanë limitin e tyre, ndaj duhet të jemi të përkorë në këtë fushatë, tha Berisha. Nuk është shkëlqimi dhe salltaneti ai që shkon më thellë në mendjen e njerëzve, ndaj ne shkojmë në këto zgjedhje me një qasje ndryshe, tha Berisha.
Punonjësit me status civil duhet të respektojnë tërësisht statusin e tyre, orarin zyrtar, vijoi më tej kryeministri.
Qeveria do vazhdojë funksionimin e saj me mbledhje të rregullta, por të spostuara nga ky orar. Nuk mund ti ndërpresim ne reformat për një muaj, është shumë e kushtueshme, u shpreh kreu i qeverisë.