E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kjo javë, java e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare

Kryeministri Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se zhvillimet pozitive të javës së fundit, privatizimi i sektorit të shpërndarjes së energjisë, shitja e 12 për qind të aksioneve të qeverisë në AMC dhe përfitimi i  rreth 250 milionë euro kredi nga banka të mëdha ndërkombëtare për Shqipërinë, shprehin besimin e madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare. “Kjo javë ka qenë me të vërtetë një javë e madhe dhe do të mund ta cilësonim si java e besimit të madh të komunitetit ndërkombëtar të biznesit ndaj ekonomisë shqiptare”, tha Kryeministri, duke theksuar se është një akt unik në Europë që, në një hark kohor 7 ditor, kjo qeveri finalizon dy akte madhore privatizimesh. Kryeministri theksoi se në mbledhjen e sotme miratohet kontrata e përfunduar me kompaninë ceke “Çez” për finalizimin e privatizimit të sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Ndërkohë, një ditë më parë, zoti Bode informoi mediat dhe opinionin për kredinë rreth mbi 250 milionë euro, ose ndryshe rreth 300 milionë dollar, që Dojce Bank, Reiffeisen Bank dhe banka të tjera të mëdha, i akorduan Shqipërisë. Gjithashtu, të hënën, Ministria e Ekonomisë finalizoi me sukses të plotë një privatizim tjetër, ose më saktë shitjen e aksioneve të qeverisë me një nga çmimet më të leverdishme, me 48 milionë euro. Kryeministri vuri në dukje se, në kulmin e tronditjeve të mëdha financiare dhe ekonomike të planetit, në kohën kur kriza ka rikthyer nacionalizimet, në Shqipëri realizohen me sukses të plotë privatizimi i KESH-it, AMC-së dhe Shqipërisë i ofrohet  një kredi 25 për qind më e madhe sesa njërit prej 5-6 vendeve më të mëdha të Europës dhe që është shumë herë më i zhvilluar se Shqipëria. “E gjithë kjo ka vetëm një shkak madhor, vetëm një shtyllë dhe kjo është situata ekonomike e Shqipërisë”, vijoi ai. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›