Dhomat e Tregtisë të Ballkanit do të mblidhen për të diskutuar mbi masat ndaj krizës
Asambleja e Përgjithshme e Dhomave të Tregtisë të Ballkanit, kryesinë e së cilës e mban Shqipëria, do të mbledhet më 12 mars në Tiranë, ku çështjet kryesore që do të diskutohen do të jenë ato mbi efektet e krizes financiare ndërkombëtare mbi ekonomitë e shteteve të Rajonit dhe masat që duhen marë për të zbutur ndikimin e saj në sektorë të veçantë të industrisë, tregtisë, sistemit bankar, të shërbimeve dhe të ndërtimit. Presidenti i Asamblesë të Përgjithshme të Dhomave të Tregtisë të Ballkanit dhe i Unionit të Dhomave të Shqipërisë, Ilir Zhilla, tha sot se ky takim do të shërbejë për forcimin e lidhjeve mes Dhomave të Tregtisë të Rajonit dhe bashkëveprimin për të kontribuar me masa konkrete për të ulur efektet e krizës financiare globale në vendet e Rajonit. Zhilla tha se kjo Asamble, mbështetet nga Dhoma e Tregtisë e Gjermanisë dhe në takimin e Tiranës, do të marrin pjesë krahas autoriteteve të larta zyrtare të ekonomisë dhe financave shqiptare edhe kryetarë dhe përfaqësues të Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, nga Turqia, Greqia, Rumania, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Krahas trajtimit të çështjes së krizës, në këtë Asamble do të diskutohet edhe mbi rritjen e shkëmbimeve tregtare mes shteteve të Rajonit, shkëmbimin e eksperiencave mbi novacionet në teknologji dhe lehtësimin e barrierave doganore.
...