E Diel, 1 Nëntor 2026

Memia: Lejet e legalizimeve do të shpërndahen në të gjitha Qarqet

Agjensia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale shpërndau sot lejet e legalizimit, për një numër objektesh të formalizuara. Gjatë një ceremonie të organizuar në këtë kuadër, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, u shpërndanë rreth 60 leje legalizimi në mënyrë simbolike nga të gjitha qarqet e vendit. Kryeministri Berisha, duke e konsideruar këtë proçes, si kusht themelor në reformën e drejtësisë, tha se po i jepet përgjigjja ligjore një prej problemeve më madhore që u krijua në periudhën e pluralizmit. Kreu i qeverisë shqiptare referuar edhe Planit Urbanistik të Tiranës, i cili, sipas tij, po mbahet peng nga kreu i Bashkisë deklaroi se "informalizimi dhe Plani Urbanistik i Tiranës janë të lidhura me njëra-tjetrën, për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Renditja e qeverisë shqiptare në vendin e parë për nga rritja ekonomike në Evropë, dëshmon seriozitetin, ligjshmërinë dhe reformat e thella që kanë shndërruar këtë vend, në një vend që ecën i sigurt drejt ndryshimeve të mëdha", theksoi kryeministri Berisha. Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia theksoi janë plotësuar të gjithë komponentët e domosdoshëm ligjorë dhe është bërë e mundur pajisja e poseduesve të tyre me lejen e legalizimit për 4 504 pasuri informale. "Është përgatitur dokumentacioni teknik dhe janë bërë përllogaritjet mbi detyrimet financiare për 12 297 objekte informale, një pjesë e poseduesve të të cilëve kanë nisur shlyerjen e detyrimeve", vijoi Memia. Sipas tij, duke qënë se këto objekte i ndan nga pajisja me lejen e legalizimit vetëm pagesa e detyrimeve financiare, ALUIZNI ka ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për të ndërgjegjësuar poseduesit e ndërtimeve mbi rëndësinë dhe përfitimet e proçesit të legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të objekteve pa leje. "Për 6 620 apartamente dhe ambjente social-eknomike informale të ngritura në ndërtime pa leje është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm, janë shlyer nga poseduesit e tyre detyrimet financiare të proçesit dhe është e mundur pajisja me lejen e legalizimit", tha ai. Memia theksoi se rreth 6 674 shtesash informale të ngritura në objekte të ndërtuara para vitit 1993, është pregatitur dokumentacioni i nevojshëm dhe poseduesit e tyre janë në fazën e shlyerjes së detyrimeve financiare. Por, kreu i ALUIZNI-t theksoi gjithashtu se janë identifikuar në terren rreth 10 mijë pasuri informale të ngritura në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në zonat për të cilat janë miratuar studime urbanistike, apo në territoret që gëzojnë mbrojtje të veçantë ligjore. Sipas tij, nisur nga numri i Përgjithshëm i objekteve informale të vetëdeklaruara administrata e ALUIZNI-t ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për rreth 70 % të pasurive informale të vetëdeklaruara Ky kontigjent pret legalizimin në varësi të pagesës së detyrimeve financiare nga poseduesit e pasurive.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›