Me rastin e “7 MARSI” nderohen pas vdekjes pesë mësues të gjermanishtes
Pesë mësues të gjuhës gjermane nga qyteti i Shkodrës u nderuan nga Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Austri me titullin “Anëtar Nderi”, pas vdekjes, gjatë një ceremonie të organizua në bashkëpunim me shkollën e mesme profesionale “Peter Maringer”, në kuadër të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit. Gjatë këtij aktiviteti të organizuar në sallën “Ëaltr Hoflechner” në bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Kryetari i Shoqatës Shqipëri-Austri prof. dr. Mahir Hoti, ka evidentuar fragmente nga karriera e 5 mësuesve Ndoc Kamzi, Karlo Ljarja, Izet Bebeziqi, Sandër Bushati dhe Prelë Hajati, të njohur si përçues të gjuhës gjermane në Shqipëri. Ai u ndal dhe në marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Austrisë. Aktiviteti u përshëndet dhe nga konsulli austriak në Shqipëri Martin Krammer, si dhe konsulli i nderit me seli në Shkodër Gjergj Leqejza, të cilët nënvizuan disa nga arritjet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Mësuesit e nderuar
Ndoc Kamzi u lind në Shkodër në 4 gusht 1901. Ndoqi studimet në kolegjin Saverian dhe më pas gjimnazin klasik në Grac të Austrisë. Në vitin 1926 filloi studimet në Universitetin e Gracit për Filologji Romane. Në vitin 1931 mbrojti disertacionin për Gjuhën e Gidë Mopasan dhe pas një viti fitoi gradën shkencore “Doktor”. Ai ushtroi profesionin e tij në disa qytete të vendit si në shkollën Normale të Elbasanit, në Liceun e Gjirokastrës, në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë. Por, kontributin më të madh e ka dhënë në qytetin e tij të lindjes, Shkodër, duke shërbyer si mësues i gjuhës gjermane dhe duke realizuar shumë përkthime. Karlo Ljarja u lind në Shkodër me 15 nëntor 1903. Ai studioi në Austri, ku u dallua si një nga nxënësit më të mirë të Vjenës dhe më vonë në Krems ku në vitin 1928 mori dhe dëftesën e pjekurisë për drejtimin pedagogjik. Ljarja u emërua si mësues i Pedagogjisë Teorike dhe Praktike dhe Psikologjisë në shkollën Normale të Elbasanit, ku dhe spikati si metodist i shkëlqyer, por që në vitin 1934-35 pushohet nga puna. Në vitin shkollor 1935-36 ai themeloi shkollën e Thethit, e para në Dukagjin, ndërsa në vitet 1939-1940 ishte drejtues didaktik pranë Ministrisë së së Arsimit dhe më pas punoi në Inspektoriatin e Arsimit të Prefekturës së Shkodrës. Gjatë viteve 1945-46 u emërua, pushua dhe riemërua në punë, për arsye biografike. Pasi kaloi katër vite si mësues në Gjirokastër dhe Tepelenë, ai u rikthye në shkollën Pedagogjike në Shkodër. Ka qenë mësues i gjermanishtes në shkollën e mesme ”Xheladin Fishta”. Me titullin "Anëtar nderi" u nderuan dhe mësuesit Izet Bebeziqi, Sandër Bushatit dhe Prelë Hajati, të cilët kontribuan në vite për përhapjen e gjuhës gjermane në vend. Aktori i njohur shkodran Rikard Ljarja, i emocionuar për nderin ndaj babait të tij Karlo Ljarja, u shpreh se tradita e prindërve të tyre, falë dhe nivelit të shkollës së mesme profesionale austriake “Peter Maringer” në qytetin e Shkodrës, do të çohet dhe më tej nga ky brez, i cili po kualifikohet në këtë shkollë.
...