“Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon”
Presidenti Nishani pret në takim Ambasadorin e Kosovës, Sylejman Selimi
Presidenti i Republikës Bujar Nishani priti në një takim Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Sylejman Selimi. Pasi e vlerësoi marrëveshjen Thaçi-Daçiç të nënshkruar në Bruksel, si një hap përpara në integrimin e Veriut të Kosovës nën autoritetin e institucioneve qendrore kosovare dhe si një konfirmim të Kosovës në arenën ndërkombëtare, Ambasadori Selimi e informoi Presidentin Nishani për hapat e ndërmarrë në ndërtimin e infrastrukturës institucionale që do t’i shërbejë zbatimit të shpejtë të kësaj marrëveshjeje në praktikë. Ambasadori Selimi u shpreh se bazuar në vullnetin e institucioneve të Kosovës, në harmonizimin e qëndrimeve me komunitetin ndërkombëtar dhe garancitë e dhëna nga BE, SHBA dhe NATO, fati i zbatimit të shpejtë të kësaj marrëveshjeje varet nga vullneti i Serbisë në të ardhmen.
Në përgjigje, Presidenti Nishani pasi përgëzoi faktorët e përfshirë në marrëveshje për kurajën dhe vendosmërinë e tyre, theksoi se kjo marrëveshje i hap rrugën e integrimit euro-atlantik të dyja vendeve, i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon si dhe do të përshpejtojë njohjen e Kosovës nga vendet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Dialogu dhe bashkëpunimi mbeten të vetmet instrumente për zgjidhjen e problemeve, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe shtytjen e proceseve euro-integruese.