E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kohë krize, por ne do të vazhdojmë investimet

10/04/2009  Berisha premton nga Lushnja rritje rrogash, pensionesh dhe investimesh

Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se qeveria që drejton do të rrisë investimet në infrastrukturë, duke nisur investime të reja gjatë këtyre muajve, por edhe gjatë mandatit të dytë qeverisës. Duke folur nga Lushnja, ku mori pjesë në përurimin e përfundimit të autostradës Lushnjë–Fier, Berisha ka siguruar përmasat e investimeve madhore që do të kryhen e që do të nisin. Pavarësisht krizës ekonomiko-financiare botërore dhe paralajmërimeve të ditëve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, shefi i ekzekutivit premton rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ai tha se nga 1 maji pensionet në fshat do të jenë 2 herë më të mëdha se katër vjet më parë dhe se në mandatin e dytë do të investohen 2 herë më shumë se në mandatin e parë për fshatin shqiptar. Ai kujtoi se gjatë viteve të fundit janë investuar 1.6 miliard dollarë në fshatra. Megjithëse pohon se bota është përfshirë nga një krizë, “ndoshta më e madhja në historinë moderne dhe pasojat e saj pasqyrohen kudo”, Berisha ngul këmbë në projektet e mëdha dhe rritjen e të ardhurave te buxhetorët e pensionistët. Ai drejton gishtin ndaj opozitarëve, duke i bërë ata përgjegjës për hedhje shashkash për një situatë të paqenë. “Më duhet t’u them zotërinjve të opozitës ‘mos derdhni lot krokodili, mos u bëni kollagjer, që mbillni çdo ditë zi dhe vetëm zi’. Është vërtetë se ka një krizë botërore të rëndë, është e vërtetë se ajo pasqyrohet kudo, por është e vërtetë se qeveria ime disponon çdo qindarkë për të rritur pensionet, pagat, ashtu siç ka premtuar, për të dyfishuar pensionet tuaja më 1 maj dhe për të dyfishuar rrogat e arsimtarëve, të infermierëve, për të filluar të gjitha projektet që shpalla këtu para jush”, - ka deklaruar Berisha. Duke e shtruar fjalimin në aspektin politik, Kryeministri tha se opozita nuk duhet të harrojë se, në rast se Shqipëria e mbylli vitin 2008 me rritjen ekonomike më të madhe në Europë, ia arriti falë politikave të drejta të qeverisë, kundër të cilave votoi gjithnjë kundër. “Bëhuni shembull që të besoheni. Nëse doni të kontribuoni në parandalimin e pasojave të krizës, ulni taksat dhe tatimet për bashkitë që qeverisni. Nga njëra anë kryetari i PS-së dhe njëkohësisht kryebashkiaku bërtet për krizën, nga ana tjetër ka katërfishuar taksën e gjelbërimit dhe del e numëron pemët siç numëron votat e këshillit të Bashkisë: 3, 5, 7, 11. Unë ju bëj thirrje: konsiderojeni seriozisht uljen e taksave, keni një javë afat, në të kundër qeveria do të vendosë kufirin te thana”, - deklaroi ai. Duke iu drejtuar banorëve të zonës së Lushnjës, Berisha ka thënë se qeveria gjatë javëve që vijnë do të nisë 5 projekte të tjera në Myzeqe.

Mungesa e ambasadorit

Ambasadori italian në Tiranë Saba dElia ka munguar në çastin që Kryeministri Sali Berisha ka prerë shiritin e përurimit të përfundimit të punimeve të autostradës Lushnjë–Fier. Gjatë këtij çasti është vënë re mungesa e përfaqësuesit zyrtar të Italisë në Shqipëri, i cili mbërriti me vonesë në përurim për shkak të trafikut, siç u deklarua. Madje, ai qëndroi shumë pak pranë kreut të qeverisë shqiptare gjatë fjalës së tij të fundit. Kryeministri Berisha e ftoi ambasadorin DElia duke ndërprerë fjalimin, ndërkohë fjala e programuar e ambasadorit italian nuk është mbajtur para të pranishmëve. Pyetjes në lidhje me deklaratën e Berishës se vendi ynë nuk është në krizë, DElia iu përgjigj: “Mua më behet qejfi për deklaratën e kryeministrit Berisha, megjithatë unë do ti referohem deklaratës së FMN-së, e cila tha se këtë vit në Shqipëri rritja do të jetë 0-1%. Uroj të jetë diçka më e lartë dhe në parametra më të mirë.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›