E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunoi vajzën në 1992-shin, ekstradohet nga Italia

10/04/2009  Kastriot Gremi ishte dënuar me 18 vjet burg, ishte arratisur në Itali

Ngjarja tek “Qafa e Koshovicës” në Fier, bashkautor edhe Xhevair Braka

TIRANE- Pas 17 vjetësh arrati, më së fundi agjentët e zyrës së Interpol Tiranës kanë mundur të arrestojnë dhe ekstradojnë nga Italia shtetasin Kastriot Gremi që është akuzuar nga drejtësia shqiptare për përdhunimin e një vajze në afërsi të “Qafës së Koshovicës”. Pikërisht për këtë veprim kriminal Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin nr. 123, datë 24 shtator 1992, e ka dënuar shtetasin Kastriot Gremi, me 18 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Marrëdhënies seksuale me dhunë e kryer në bashkëpunim”. Duke ju referuar vendimit të të gjykatës mësohet se më datën 13 maj 1992, në vendin e quajtur “Qafa Koshovicës” që ndodhet afër qytetit të Fierit, shtetasit Kastriot Gremi dhe Xhevahir Braka, kanë marrë me dhunë në makinë shtetasen O. B. Gjatë kësaj kohe shtetasit e sipërcituar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës, ku më pas ata kanë kryer edhe marrëdhënie seksuale kundër dëshirës së saj. Pas këtij veprimi kriminal duke shfrytëzuar edhe situatën e rënduar të vendit, në vitin 1992 dy autorët janë larguar nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Por nga ana tjetër viktima i është drejtuar policisë së Fierit në të cilën ka depozituar një kallëzim penal në ngarkim të dy autorëve Kastriot Gremi dhe Xhevahir Braka. Pas disa veprimesh të kryera materiali i është dërguar organit të akuzës së qytetit të Fierit, specialistët e së cilit e dërguan dosjen në gjykatë. Pikërisht kjo e fundit, duke u bazuar në provat e Prokurorisë dhe te deklarimet e të dëmtuarës ka dhënë 18 vjet heqje lirie për dy autorët në mungesë. Nisur nga ky vendim shtetasit e lartpërmendur janë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol-Romën, më datën 18 tetor të vitit të kaluar u bë i mundur arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit Kastriot Gremi. Ndërsa shtetasi Xhevahir Braka është arrestuar disa vite më parë në Shqipëri.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›