E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, në PD fillon analiza, brenda muajit mblidhet Këshilli Kombëtar

TIRANË- Për Kryeministrin Sali Berisha, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka marrë rezultatin më të thellë që një koalicion ka marrë ndonjëherë në zgjedhjet elektorale.

“Qytetarët shqiptarë, në të katër anët e vendit, votuan me rezultatin më të thellë se në të gjitha garat elektorale koalicionin “Aleanca për qytetarin”, i cili mori 140 mijë vota më shumë se koalicioni tjetër, mori 17 për qind vota më shumë se koalicioni rival opozitar, mori rreth 43 mijë vota më shumë në të gjitha qytetet e vendit, mori 41 mijë vota më shumë për të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe komune, mori 10909 vota më shumë në katër gara të marra së bashku të kryeqytetit të vendit”, - tha dje Berisha. Megjithatë, kreu i ekzekutivit nuk ka përmendur deri më sot rezultatin që PD-ja ka marrë si subjekt politik edhe pse dje në mbledhjen me dyer të mbyllura, ai ka kërkuar që të fillojë analiza në të gjithë vendin. Kreu i ekzekutivit nuk ka specifikuar se për çfarë analize bëhet fjalë, edhe pse mes deputetësh kanë filluar diskutimet për rezultatin, që ata kanë pasur në zonat zgjedhore ku u caktuan në zgjedhjet e 8 majit. Në vazhdën e kësaj analize post-zgjedhore, Partia Demokratike pritet që të mbledhë së shpejti edhe Këshillin Kombëtar. Burime nga grupi parlamentar i PD-së thanë dje se nuk ka ende një datë fikse, por sigurojnë se Këshilli do të mblidhet brenda këtij muaji, ku pritet të diskutohet kryesisht për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rezultatin që u arrit në çdo bashki dhe komunë të vendit. Në këtë mbledhje të afërt të Këshillit të Kombëtar nuk është përcaktuar nëse do të ketë në axhendën e saj edhe një pikë tjetër po aq të rëndësishme; zgjedhjen e strukturave të larta të PD-së, konkretisht kryesisë së saj dhe sekretariatit. Në bazë të statutit të PD-së, Këshilli Kombëtar zgjedh/shkarkon ndërmjet anëtarëve të tij të dalë nga Kuvendi Kombëtar, me votim të fshehtë: Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Sekretarët funksionalë; Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë; Komisionin Qendror të Apelimit. Vendimet e Këshillit kombëtar merren me shumicë të thjeshtë votash. Në rastin e masave disiplinore, vendimet e këshillit kombëtar merren me 2/3 e votave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›