E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Komitet shtetëror për 100-vjetorin

14/06/2011  Kreu i ekzekutivit parashtron hapat për kremtimet në përvjetorin e pavarësinë

“Një nderim shumëplanësh në të gjitha rrafshet: historik, kulturor, shkencor, artistik”

Oli Xhilaga

Shqipëria do të presë 100-vjetorin e saj me kremtime shumëplanëshe, si në atë historik, kulturor, shkencor, artistik. Por pa përjashtuar këtu edhe dy evenimente të rëndësishme: ndërtimin e parlamentit dhe të stadiumit të ri. Ky ishte kryefjala e të gjithë ligjëratës që kryeministri Sali Berisha mbajti dje përpara ligjvënësve demokratë në mbledhje e radhës që zhvilloi dje grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Kështu, duke iu referuar pikërisht një date kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar, siç pritet të jetë 100-vjetori i pavarësisë, kreu i ekzekutivit paralajmëroi ngritjen e një komisioni shtetëror, i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme nga Shqipëria, Kosova, shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe diaspora. “100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë ishte dhe mbetet ngjarja më e madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve. Kjo ngjarje duhet të pritet, të festohet në mënyrën më dinjitoze dhe me të gjithë angazhimin e merituar, për një kremtim sa më të qytetëruar e më dinjitoz të kësaj ngjarje të madhe. Kjo është një ngjarje që shënon ditëlindjen, sepse pavarësitë konsiderohen si datëlindjet moderne të kombeve. Kombi është mijëravjeçar, por pavarësia shënon ditëlindjen e tij të re”, - vuri në dukje kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo ngjarje duhet të shqyrtohet dhe të trajtohet në të gjitha rrafshet, të shkruhet në muret e kohës. Gjithashtu, duke u ndalur konkretisht në vendimet e deritanishme, kreu i qeverisë nënvizoi se “paraprakisht janë shpallur dhe janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme dhe nuk mund të kishte vendim më të drejtë, më të goditur, më të arsyetuar dhe nuk mund të nderoje me asgjë më shumë shtetin shqiptarë në 100-vjetorin e tij sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimin e Parlamentit ndër më modernët në Evropë; ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, i cili duhet të pasqyrojë e të gërshetojë traditën, por dhe format më bashkëkohore të arkitekturës të stadiumeve sportive.” Por pavarësisht këtyre dy elementeve, në gjykimin e kryeministrit një ngjarje e tillë kërkon një nderim shumëplanësh në të gjitha rrafshet: historik, kulturor, shkencor, artistik. Për këtë arsye Berisha u shpreh: “Parlamenti shqiptar ka një rol të veçantë, por edhe të gjitha institucionet. Le të ngremë këtë Komision Shtetëror, i cili do të ketë një sekretariat teknik, në mënyrë që ta shndërrojmë këtë në ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të vitit 2012 dhe ta presim atë me dinjitetin më të madh.”

Natyrisht, këto janë dy elemente, por 100-vjetori kërkon një nderim shumëplanësh në të gjitha rrafshet: historik, kulturor, shkencor, artistik. Për ta kremtuar sa më mirë dhe me sa më me dinjitet ngjarjen më madhore të historisë sonë kombëtare, 100-vjetorin e pavarësisë, do të krijohet një Komision Shtetëror, i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme, por dhe përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet, nga Kosova, shqiptarë të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe nga diaspora. Pavarësia e Shqipërisë ishte një vepër mbarëkombëtare. Kjo është universalisht dhe botërisht e njohur.

Përbërja e Komitetit Shtetëror

Kryeministri Sali Berisha, duke iu referuar përbërjes së komitetit që do të ngrihet në funksion të kremtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë, vuri theksin në faktin se “është e ditur se kryengritjet e mëdha që sollën pavarësinë e Shqipërisë u bënë në Kosovë. Tashmë është shumë e ditur dhe e njohur fakti se Dedë Gjo Luli ngriti flamurin dhe udhëhoqi një lëvizje të fuqishme për pavarësinë në të gjitha trevat shqiptare, një pjesë e të cilave sot janë në Malin e Zi. Po kështu trevat shqiptare që ndodhen sot në Maqedoni kanë kontributin e tyre të madh. Dispora ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në pavarësi. Kjo veprimtari shumëformëshe tashmë duhet të jetë vepër e një komisioni me përfaqësues ndër më të shquarit të fushave përkatëse: politikanë dhe jopolitikanë, studiues e krijues të këtyre fushave.

Nderimi i figurave historike

“Komisioni Shtetëror duhet të përfaqësojë spektrin e tërë të vendit dhe të ketë një pjesëmarrje të të gjithë atyre faktorëve që u angazhuan fuqishëm në realizimin e aktit madhor shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nën udhëheqjen e Ismail Qemalit. Është e domosdoshme që kjo periudhë të shërbeje për një ridimensionim të plotë të qëndrimeve ndaj etërve të pavarësisë, të cilët në tërësinë e tyre, përveç Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, pothuajse u bënë të paqenë nga regjimi Hoxhist. Në përpjekjen e tij paranojake për të zëvendësuar çdo gjë me kultin e tij, faktikisht themeluesit e pavarësisë, firmëtarët e deklaratës patën si shpërblim ndëshkimin e pamerituar, fshirjen e turpshme të firmave mbi aktin madhor të ditëlindjes së kombit, persekutimin e egër të të gjitha formave të tyre dhe familjeve të tyre”, - u shpreh Berisha.

Kreu i LSI-së flet pas festës së 20-vjetorit të PS-së

Meta: Me Ramën partia u kthye në një forcë destruktive e bllokuese

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkoi reflektimin e lidershipit socialist lidhur me qëndrimin zyrtar të saj që prej zgjedhjeve të vitit 2009. Kështu, duke qëndruar te 20-vjetori i themelimit të PS-së, ku vetë ai nuk ishte pjesë e aktivitetit të krijuar me rastin e këtij përvjetori, kreu Meta preferoi që të lëshonte një mesazh për drejtuesin e kësaj partie. “Sa i takon 20-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kjo ishte një ngjarje e rëndësishme për politikën shqiptare dhe pavarësisht nga diferenca midis PS-së që u krijua 20 vjet më parë e që kontribuoi për një dekadë e gjysmë në inkurajimin e proceseve demokratike dhe organizuese të Shqipërisë dhe PS-ja që shfaqte sot në një parti bllokuese të këtyre proceseve dhe tejet konfliktuale”, - u shpreh Meta, sa i takon kësaj çështje. Ndërkohë, po në këtë linjë, kreu i LSI-së shtoi se “ka qenë një ngjarje për të shprehur një mirënjohje për kontributin që kanë dhënë të gjithë ata që ndikuan jo vetëm në themelimin e kësaj force politike, por dhe në kontributet pozitive që ajo dha për të mirën e vendit dhe njëkohësisht shpresoj që ky 20-vjetor të jetë një ditë reflektimi, që kjo forcë politike të mos vazhdojë të bojkotojë traditat evropiane të socialistëve shqiptarë”. Gjithashtu Meta komentoi dhe deklaratat e lëshuara nga lidershipi socialist lidhur me vendimet e institucioneve të ngarkuara me ligj për shqyrtimin e proceseve zgjedhore. “Mendoj se shantazhe të tilla të rëndomta ndaj institucioneve dhe aq më tepër ndaj gjykatave janë të papranueshme, aq më tepër kur bëhen nga një përfaqësues i një force politike të rëndësishme sikurse është Partia Socialiste. Shantazheve të tipit «nëse nuk më lini Bashkinë e Tiranës», do të bëhet kiameti, mendoj se u ka ikur koha. Qëndrime të cilat nuk janë të reja dhe as të veçuara, por që janë pjesë e një kursi destruktiv, shantazhesh ndaj institucioneve edhe ndaj sigurisë publike të qytetarëve, janë pjesë e një filozofie destruktive dhe konfliktuale”, - tha Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›