E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshje me pistoleta në ish-Bllok, 1 vdes, 2 plagosen

14/06/2011  Në tavolinën e lokalit “Baroko” ndodhej viktima, të plagosurit dhe 2 femra

Policia dyshon si shkak femrat në tavolinë, autori në kërkim

TIRANË- Një 32-vjeçar u ekzekutua me pistoletë, kurse 2 të tjerë mbetën të plagosur dje në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 të ditës së djeshme te lokali “Baroko” në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, kur një person rreth 25 vjeç qëlloi me pistoletë në drejtim të tavolinës ku ndodheshin 5 persona dhe la të vdekur Nadien Zenelin, 31 vjeç, nga Burreli, e të plagosur shtetasit Taf Mandri, 23 vjeç, dhe Bledar Miha. Dy femrat e tjera, që ndodheshin në të njëjtën tavolinë me 3 djemtë, nuk janë lënduar nga të shtënat. Të plagosurit janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertë të Policisë së Tiranës dhe morën në pyetje dëshmitarët, të cilët pohuan se personi që u vra dje, 2 shtetasit që mbetën të plagosur dhe dy femrat kanë qenë duke pirë në lokal, kur një person rreth 25 vjeç, rreth 1 m e 80 i gjatë, me pantallona të zeza dhe bluzë të bardhë ka qëlluar në drejtim të tyre me armë tip pistoletë. Edhe personat që ndodheshin në një tavolinë i janë përgjigjur zjarrit me pistoletë, por pa arritur ta shënjestronin. Aty ka ndodhur një përleshje e vërtetë. Duke iu referuar dëshmive të personave që ndodheshin në atë lokal, mësohet se si shkak për këtë përleshje me armë ka qenë prezenca e dy femrave, por pa specifikuar detajet. Autori më pas është larguar me automjet, targa e të cilës është identifikuar nga policia. Efektivët blu kanë ngritur postblloqe në të dalë e në hyrje të Tiranës, Durrësit e Kavajës. Në Spitalin Ushtarak personat e plagosur po merren në pyetje për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Policia ka sekuestruar dhe armën tip pistoletë dhe ndërkohë është vënë në ndjekje të autorit të ngjarjes.

M. Mullai

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›