E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kontestimi i zgjedhjeve, opozita po nxin procesin më të mirë në histori

UPDATE-Kryeministri Sali Berisha e cilëson qëndrimin e opozitës ndaj procesit të zgjedhjeve parlamentare, si një përpjekje idilike të kryesocialistit në detyrë dhe ndjekësve të tij, për të nxirë procesin më të mirë që është zhvilluar ndonjëherë. Lidhur me këtë fakt, kreu i qeverisë solli në vëmendje të deputetëve socialistë, të pranishëm në Kuvend, risitë e zgjedhjeve të kaluara, duke nisur nga neni i transparencës, neni 116 në Kodin Zgjedhor, fotografimi i votës, skanimi dhe raportimi on-line në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Neni 116 është neni i transparencës më ekstreme. Ishte e drejta e kundërshtisë për të rinumëruar disa herë, aq sa mund të kishte dyshime nga ana e komisionerëve mbi fletët e votimit. Prandaj edhe janë firmosur procesverbalet nga të gjithë komisionerët, të majtë dhe të djathtë. Mjaftonte të ngrihej dora nga një komisioner. Vota u fotografua, u skanua dhe u transmetua në kohë reale në të gjitha qendrat e KQZ-së. Të akuzosh një proces tërësisht transparent, si të manipuluar, është njësoj si ta lyesh me bojë të zezë. Ne e kuptojmë shumë mirë kompleksin e Edi Ramës, kompleksin e Edipit. Ai duhet ta zgjidhë vetë këtë”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.


Opozita po e kthen Kuvendin në gjyq publik kundër 20 mijë komisionerëve socialistë/Kryeministri Sali Berisha duke marrë fjalën gjatë punimeve të seancës maratonë të parlamentit, u shpreh se akuzat e ashpra të opozitës, për kriminelë elektoralë, ndaj 20 mijë komisionerëve të saj, po e kthen Kuvendin në një gjyq publik. Kreu i qeverisë reagoi ashpër ndaj një akuze të tillë monstruoze nga ana e përfaqësuesve të opozitës, duke deklaruar se 20 mijë komisionerë mund t’i mbrojë edhe shumica, porsa kohë ata akuzohen për një “krim” që nuk e kanë kryer kurrë.


“Kemi ardhur këtu me vullnetin më të mirë, për t’i dhënë një përgjigje legjitime, Kushtetuese, kërkesës së opozitës për transparencë. I bëj thirrje opozitës të mos përdorë akuzat për të kërkuar transparencë, të lerë retorikën e akuzave monstruoze ndaj 20 mijë komisionerëve të saj. Nuk ka gjë më të rëndë sesa të shndërrohet në një gjyq publik për ata 20 mijë komisionerëve socialistë, të cilët përmbushën me ndërgjegje, përgjegjësi ligjor, detyrën e tyre, para programit të partisë së tyre, kushtetues dhe ligjeve të vendit. Nëse këtë parlament doni ta shndërroni në gjyq publik dhe të flisnin për krime elektorale, se sepse ata firmosën dokumentet e një procesi më historik të vendit, do na ktheni në avokatë të tyre. Po shkelet mbi 20 mijë herë neni 7 i kësaj Kushtetute. Nenin e prezumimit të pafajësisë. Nëse merrni përsipër të flisni këtu për krim elektoral, ju po bëheni persekutorët më të mëdhenj. Nuk është në interes të kësaj seance të lëshojmë shashka të tilla, të përdorim këtu lopë dhe dele, apo edhe jashtëqitjet e tyre për të nxirë komisionerët e PS, vetëm e vetëm se ai që i udhëhoqi nuk i fitoi dot zgjedhjet. Ne kemi ardhur këtu për të dialoguar me ju, por nëse ju vërsuleni me krim elektoral e me kriminelë zgjedhorë, bëni një gabim shumë të madh, sepse faktet janë fakte, janë të regjistruara, sepse nuk bëni këtu gjykimin, nuk bëni ndjekjen penale për vetëm 20 mijë të pafajshmit, për të cilët nuk jeni në gjendje të paraqisni as edhe një dokument të vetëm,. Ju keni paraqitur këtu karta bixhozi të falsifikuar te Taivani juaj. Nuk keni depozituar as edhe një dokument për ndonjë komisioner që ka shkelur ligjin. Ju po i sulmoni për vepra të pamoralshme, për vepra që ata nuk i kanë kryer. Në këto zgjedhje janë vëzhguar nga 510 vëzhgues nga mbarë evropa dhe bota, kongresmenë, parlamentarë, ambasadorë, etj, etj. Kanë konkluduar rregullsisë më të madhe. Kur thotë gjykatësi ndërkombëtarë, të gjithë të tjetër binden. Ka fol gjykatësi ndërkombëtarë, ka deklaruar se komisionerët tuaj, kanë qenë gardianë të votës dhe se nuk ka patur asnjë provë për manipulim. Si mund të akuzoni ata që ju kanë ndenjur 24 orë nën shërbim? Si mund të bëheni parti e Ruzhdies? Por nuk bëheni kurrë, sepse Ruzhdija ka qenë gjithmonë e djathtë. Aty, parti kryesore është Partia Demokratike? Jeni aq të moralshëm sa të besoni gënjeshtrat që sajoni vetë? Unë nuk mund të akuzoj kurrë komisionerët tuaj, për kriminelë. Si mund të akuzoni komisionerët tuaj, për kriminelë? Mos na detyroni të bëhemi avokatë të tyre... Ata kanë partinë e tyre dhe vetëm partia e tyre mund t’i ndihmojë dhe t’i mbrojë. Megjithatë, mos të hapemi në mënyrë të tillë. Ja ku jemi! Të gjejmë një ujdi të përbashkët. Mos mendoni ju se duke recituar në këtë mënyrë, mbroni atë që ka humbur zgjedhjet, jo, përkundrazi, ja nxini edhe më shumë humbjen. Ejani zotërinj, ngremë komisionin. Doni shumicën në komision? Këtë që ka bërë kjo mazhorancë s’e ka bërë askush, që t’i japë pakicës shumicën në komision. Të kthehemi bashkë në 2001-shi, në 2005-ën kemi votuar së bashku kundër hapjes së kutive dhe në një kohë kur ne kemi patur fakte. Edhe në 2001-shin ne kishim fakte për manipulimin e votave, por nuk e bëmë padinë për hapjen e kutive. Jemi të gatshëm të ngremë komisionin dhe në respekt të plotë me ligjin dhe kushtetutën, të hetohen zgjedhjet. Nëse jeni të gatshëm për të akuzuar për kriminelë 20 mijë komisionerë burra dhe gra socialistë, keni kurajo për komisionin hetimor. Ky shtet i ka të gjitha instrumentet për hetimin e plotë të zgjedhjeve, por ju nuk keni as edhe një fakt të vetëm...Merrini të gjithë amendamentet për të adresuar aty të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe ne do t’i votojmë të gjitha, sepse ato janë të gjitha, nga e para tek e fundit, një projekt i shumicës. Oferta jonë është e sinqertë dhe bazohet në dëshirën e madhe që ju të zini vendet tuaja në parlament dhe t’u përgjigjeni zgjedhësve tuaj. Edhe njëherë ju premtoj deputetëve të opozitës, vullnetin e plotë për një komision hetimor parlamentar, ku opozita në çdo votim të tij, të jetë shumicë, vullnetin e plotë për të ndryshuar ligjin e nevojshëm, por gjithmonë duke respektuar kushtetutën. Pasi në të kundërt nuk mund të rrezikojmë themelet e kësaj demokracie”.


PD: Opozita po injoron ndarjen e pushteteve/Kuvendi i Shqipërisë po vijon punimet maratonë të seancës plenare me rend dite diskutimin e nismave ligjore të Partisë Socialiste, për hetimin e zgjedhjeve parlamentare. Deputeti socialist Fatmir Xhafa, megjithëse një jurist i njohur dhe që logjikisht duhet të ketë përvetësuar aktet ligjore të funksionimit të institucioneve të vendit, me deklaratën e tij në Kuvend, e vë në pikëpyetje nivelin e tij formues. Ai u shpreh se nuk ka asnjë vendim ligjor që ndalon ngritjen e komisionit hetimor por se e vetmja pengesë është mungesa e vullnetit politik të mazhorancës. Xhafa theksoi se nuk ka asnjë normë juridike që pengon që të hapen kutitë e materialeve duke shtuar se Partia Socialiste me hetimin e zgjedhjeve kërkon një transparencë të plotë. Sipas tij, me ngritjen e një komisioni hetimor Partia Socialiste nuk synon të ngrejë akuza penale për askënd dhe të rishikojë vendimet që janë marrë nga kolegji zgjedhor por të evidentojë problematikat. Por, i menjëhershme ka qenë reagimi i mazhorancës, përmes deputetit dhe anëtarit të komisionit të ligjeve, Viktor Gumi. Deputeti demokrat u shpreh se PS po tenton të injorojë ndarjen e pushteteve. Sipas tij, kërkesat e opozitës bien ndesh me vendimet e gjykatave dhe ligjet në fuqi. Gumi vuri në dukje se hetimi i zgjedhjeve, duhet të jetë me objekt të përcaktuar dhe jo përgjithësues, pasi në këtë mënyrë do të cenohej pavarësia e pushteteve. “Hetimi parlamentar nuk mund të jetë i gjerë, por me objektiv tw përcaktuar. Objekti është i fokusuar në një çështje të veçantë dhe jo të përgjithshme”, deklaroi deputeti demokrat, Viktor Gumi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›