E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli konfirmon heqjen e vizave para pushimeve të verës

Një delegacion i Parlamentit Evropian viziton Shqipërinë për të parë nga afër se si janë përmbushur kushtet teknike që kërkohen nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave dhe premton paraprakisht lobimin publik për heqjen e tyre para nisjes së sezonit të pushimeve

Një përfaqësi e Parlamentit Europian kryesuar nga Eduard Kukan, shefi i Delegacionit për Ballkanin do të jetë në Tiranë të dielën për të parë nga afër sesi i ka plotësuar Shqipëria kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave.

“Koha është shumë e rëndësishme ndaj po shkojmë dhe kaq shpejt pa lajmëruar në Shqipëri, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do realizohej përpara pushimeve të verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshëm. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi të bëjmë me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur më”, u shpreh Kukan.

Në përbërje të delegacionit do të jenë deputetët Jelko Kaçin, Simon Busuttil nga Malta, holandezja Marije Cornalissen si dhe raportuesja e Parlamentit për liberalizimin e vizave Tanja Fajon.

Vizita konsiderohet private për Parlamentin Europian edhe pse me ftesë zyrtare të autoriteteve shqiptare.

Eurodeputetët do të takojnë kreun e shtetit Bamir Topi, Kryeministrin Berisha, Ministrin e Jashtëm, atë të Punëve të Brendshme si dhe do të vizitojnë zyrat kryesore përgjegjëse për përmbushjen e kritereve të kërkuara nga BE-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›