E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI akuzon PD dhe PS për përjashtimin e saj nga administrimi i procesit zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim, fajësoi sot dy forcat më të mëdha politike në vend PD- PS, se po e përjashtojnë, nga proçesi i administrimit në zgjedhjet e ardhshme, dhe se formulat e ndarjes së KQZ- së, apo komisioneve të tjera, nuk garantojnë gjithpërfshirje. “Nuk ka asnjë kriter që të përjashtojë LSI-në, nga proçesi i administrimit të zgjedhjeve të ardhshme.” u shpreh nënkryetari i LSI, Dritan Prifti. Sipas tij, “ LSI është forca e tretë politike në vend , e konfirmuar qartë në zgjedhjet e fundit të 2007. "Ajo është forca e vetme politike që nuk u bë pale me proçesin e Mega Dushkut në zgjedhjet e vitit 2005", tha ai. Në vijim të deklaratës së tij, Prifti u ndal në çështjen e Kodit Zgjedhor, duke cilësuar se “forca që ai bën pjesë, nuk do të pranojë në asnjë rrethane një Kod Zgjedhor të hartuar nga interesa mafioze, si dhe nuk do të pranojë në asnjë mënyre një reformë zgjedhore pa standarte dhe garanci për administrim transparent dhe të ndershëm të zgjedhjeve”. Pak ditë më parë, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, tha se "deklarata e LSI, për heqjen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe nga komisionet e tjera të anëtarëve të LSI-së, janë të përçarta”. Duke folur për çështjen e Kodit Zgjedhor, deputeti Xhafa tha se “Kodi Zgjedhor nga pikëpamja e punës së ekpertëve thuajse ka përfunduar. Ka mbetur pjesa për qeverisjen vendore si dhe disa çështje që lidhen me një aneks, që duhet t'i bashkangjitet kodit, lidhur me përcaktimin e zonave të administrimit zgjedhor në qarqe. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›