Berisha: Ne investojmë të ndryshojmë Shqipërinë
Kryetari i komunës z. Lutfi Lala, u shpreh se “pavarësisht se i përkas Partisë Socialiste, jam i sigurt dhe i ndërgjegjshëm se në plan të parë qeveria ka përmirësimin e jetës së komunitetit”.
Në vazhdim të vizitës në rrethin e Elbasanit, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për projektin e kanalizimeve, në fshatin Hajdaraj të Komunës Shushicë. Ky investim i Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit arrin vlerën 240 milionë lekë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur të investojë për të ndryshuar Shqipërinë dhe jetën e qytetarëve të saj. “Ne besojmë se investimet janë rruga më e shpejtë dhe më e sigurt për të ndryshuar Shqipërinë. Ne nuk i kthejmë shpinën asnjë fshati, asnjë komune dhe asnjë zone. Ne investojmë të ndryshojmë Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri.
Duke folur për investimet e bëra nga qeveria për zhvillimin rural të Shqipërisë , kryeministri Berisha u shpreh se “ne do të investojmë kudo dhe do të bëjmë që çdo komunë të ketë rrugë të mira, të ketë shkolla të mira dhe infrastrukturën e duhur në ujesjellës dhe kanalizime. Pra, do të bëjmë që të ketë një urbanizim të plotë. Në tre vjet ne kemi investuar për zhvillimin rural të Shqipërisë rreth 1.2 miliardë dollarë, kemi asfaltuar 1600 kilometra rrugë, kemi ndërtuar mbi 460 ujësjellës, 160 kanalizime dhe nuk do të ndalemi deri në fund të kompletimit të kësaj infrastrukture”.
Më tej, Kryeministri Berisha theksoi se vetëm këtë vit, vetëm me fondin e Ministrisë së Brendshme, qeverive vendore u jepen nga buxheti i shtetit aq sa ato kanë marrë në katër vite së bashku.
Kryeministri Berisha vlerësoi se është shumë i rëndësishëm dhe bashkëpunimi ndërmjet drejtuesve të qeverive vendore me pushtetin qendror, i cili përbën dëshminë e një vullneti të përbashkët për të ndryshuar jetën e banorëve. “Unë garantoj në partneritetin e plotë dhe luajal të qeverisë qendrore ndaj të zgjedhurve vendorë. Unë ju garantoj se kjo do të shkojë drejt një konsolidimi të mëtejshëm. Ne duhet t’i ndajmë paratë me ju dhe me mbarë shqiptarët. Ne nuk mund t’i përqendrojmë fondet vetëm në disa qendra të caktuara. Është një arritje e madhe për vendin që qeveritë vendore të bëjnë dhe të depozitojnë projekte, pasi kjo përbën dëshmi të një përkushtimi të madh për të zhvilluar zonat ku ata qeverisin. Bashkërisht ne duhet të bëjmë që fëmijët e këtyre qytetarëve të shkollohen në shkolla moderne dhe që prodhimet e tyre të transportohen sa më shpejt në treg. Ne duhet të bëjmë që lagjet e tyre të kenë kanalizime dhe të furnizohen me ujë të pastër”, u shpreh Kryeministri.
Duke folur për disa projekte konkrete për këtë zonë, Kryeministri u shpreh se “do të nisë së shpejti rruga e Gjinarit, një rrugë shumë e rëndësishme për Shushicën dhe Elbasanin”. Kryeministri Berisha siguroi Kryetarin e Komunës se për çdo projekt që ai do të paraqesë, për ndërtimin e rrugës së Bishekut dhe për ndërtimin rrugëve apo shkollave të tjera, qeveria do t’i financojë ato.
Kryetari i komunës z. Lutfi Lala, pasi e falënderoi Kryeministrin Berisha në emër të banorëve të Komunës Hajdaraj për investimet e bëra, u shpreh se “pavarësisht se i përkas Partisë Socialiste, jam i sigurt dhe i ndërgjegjshëm se në plan të parë qeveria ka përmirësimin e jetës së komunitetit”.
...