E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Korrupsioni, rrënuesi i pavarësisë së institucioneve

 

Kryeministri Sali Berisha është ndalur dje sërish në luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë, duke thënë se ky fenomen është rrënuesi më i madh i institucioneve të pavarura. Duke folur para ambasadorit Uidhers në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së dytë Prag të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, kreu i qeverisë shqiptare tha se ekzekutivi që ai drejton është i angazhuar në pavarësinë e këtyre institucioneve. “Dua të garantoj se qeveria ka një përkushtim të plotë dhe absolut për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera në tërësi. Është pikëpamje e palëkundur e imja dhe e qeverisë time, se rrënues kryesor i pavarësisë së tyre është korrupsioni dhe se lufta kundër korrupsionit në këto institucione është kusht vendimtar që ato të gëzojnë pavarësinë kushtetuese ligjore që meritojnë dhe të përmbushin me dinjitet një mision të pazëvendësueshëm, shtyllë kryesore në një sistem demokratik”, theksoi Berisha. Sipas kreut të qeverisë, askush nuk mund të pretendojë se ka bërë detyrën duke mos parë në kopshtin e tij është në mendjen dhe mençurinë më të lartë të këtij kombi. “Ky apel ka një progres të pamohueshëm dhe një progres që ka bërë të mundur sukseset e deritanishme të luftës kundër korrupsionit. Drejtësia shqiptare ka hapur një kapitull të ri dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm, duke kaluar nga mosdënimi në dënim. Kjo ka rëndësi kryesore për moralin e një shoqërie dhe ka rëndësi kryesore për suksesin e një lufte të tillë”, u shpreh Berisha teksa përsëriti se në këto 12 vite ende nuk ka prokurorë apo gjyqtarë që të jenë përballur me ligjin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›