Ndoka: Të ikë Berisha, kryeministër i ri nga PD
Gati dhjetë ditë pasi PDK-ja i dërgoi një letër Kryeministrit Berisha, që ai të shprehej lidhur me marrëveshjen që ka me këtë forcë politike dhe ky i fundit heshti, Nard Ndoka i kërkon kreut të qeverisë të japë dorëheqjen. Në një rezolutë të miratuar dje në mbledhjen e kryesisë së PDK-së kërkohet dorëheqja e liderit të maxhorancës, duke e konsideruar atë përgjegjësin kryesor për situatën e krijuar në vend. "Partia Demokristiane vendosi të kërkojë publikisht dorëheqjen e Kryeministrit Sali Berisha. PDK e konsideron zotin Berisha personin përgjegjës kryesor për gjendjen e krijuar dhe një pengesë serioze për vazhdimin e qeverisjes demokratike dhe rrjedhimisht edhe për fitoren në zgjedhjet e ardhshme të koalicionit të djathtë", thuhet në rezolutën e demokristianëve. Sipas dokumentit të bërë publik nga kreu i PDK-së, Berisha nuk konsiderohet fajtor përderisa akuzat ndaj tij dhe rrethit familjar nuk janë provuar, por ai konsiderohet përgjegjës politik për skandalet politike dhe për prishjen e imazhit të qeverisjes. "E djathta shqiptare nuk janë një apo dy emra që abuzojnë me mandatin dhe besimin e saj, por janë disa dhjetëra politikanë, deputetë e akademikë, qindra e mijëra qytetarë të ndershëm, të cilët besojnë te Shqipëria evropiane dhe punojnë çdo ditë për realizimin e kësaj ëndrre", theksoi dje Ndoka. Sipas kreut të PDK-së, "bazuar në këtë realitet, por edhe duke qenë transparente dhe e ndërgje-gjshme për vendimin e marrë, kryesia e PDK-së vendosi të mbështesë çdo kryeministër tjetër të propozuar nga Partia Demokratike, si partia më e madhe e koalicionit të djathtë. PDK vendosi gjithashtu se, pavarësisht nga emri i kryeministrit të ri, ne nuk do të jemi pjesë e kabinetit të tij, por do ta votojmë atë në çdo nismë parlamentare dhe vendimmarrje të rëndësishme politike". Sipas kreut të demokristianëve, brenda të djathtës ka potenciale të afta për marrjen e përgjegjësive dhe udhëheqjen e saj drejt një mandati tjetër politik, të bazuar në reforma të thella dhe shpejtim të procesit të integrimit euroatlantik.