E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kostandini i gjithëfuqishëm në tokë përdori pushtetin e tij për të garantuar lirinë e besimit

28-04-2013 / Gazeta 55

1700 vjet nga Edikti i Milanos - Bota duhet të gjejë frymëzim tek Dekreti i Konstandinit. Shoqëria e sotme shqiptare, shembulli më i mirë që mishëron parimin e dekretit për lirinë dhe harmoninë fetare

Para 1700 vitesh liria fetare u sanksionua me dekret perandorak. Me hyrjen në fuqi të atij që historia e njeh si Ediktin e Milanos, askush nuk do të kishte më frikë të deklaronte besimin e tij fetar. Dekreti u shpall në një kohë luftërash të egra, në vitin 313 nga perandori i Romës Kostandini i madh, me origjinë ilire-dardane. Një sërë konferencash do të mbahen në shtete të ndryshme si homazh për këtë akt. Një simpozium shkencor u mbajt dhe në Shqipëri. Shqiptarët kanë më shumë arsye për t’u ndjerë krenare. Ashtu sikundër krenar do të ndihej edhe Kostandini i madh për vendin e origjinës së tij. Edikti i Milanos është aktual edhe sot pas 1700 vitesh nga firmosja e tij. Sipas referuesve në konferencën shkencore bota duhet të vijojë të gjejë frymëzim tek ky dekret i Kostandini dhe Liciniusit, dhe popujt të mos përfshihen nga luftëra që shpallen prej atyre që keqinterpretojnë librat e shenjtë.

Kryeministri Berisha
Simpoziumin “Kostandini, 1700 Vjetori i Ediktit të Milanos dhe Liria Fetare”, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë, e përshëndeti dhe kryeministri Sali Berisdha.
Kryeministri e cilësoi organizimin e kësaj konference si nderim për nga aktet më të rëndësishme, më themelore në historinë e qytetërimit perëndimor, por edhe në historinë e njerëzimit në tërësi. “Edikti i Milanos, - tha kryeministri, - përbën një akt hyjnor tokësor, të denjë për një kapitull të artë në të gjithë librat e shenjtë të njerëzimit”. Më tej, Berisha u shpreh se “ne nderojmë një nga aktet më të rëndësishme, më themelore në historinë e qytetërimit perëndimor, por edhe në historinë e njerëzimit në tërësi. Edikti i Milanos, vepër kjo hyjnore tokësore e Perandorit më të ndritur të të gjitha kohërave dhe perandorive, Perandorit Kostandin, përbën një akt hyjnor tokësor, të denjë për një kapitull të artë në të gjithë librat e shenjtë të njerëzimit”. Ai theksoi se, para Perandorit Kostandin, vetë themeluesit e besimeve të mëdha me mësimet e Zotit ishin shprehur, ishin përcaktuar për respektimin e besimit të tjetrit, por Kostandini i gjithëfuqishëm në tokë përdori pushtetin e tij për të garantuar lirinë e besimit. “Hapi të gjitha mundësitë që feja kristiane të bëhej feja e qytetërimit evropian dhe Evropa si ‘Res Publica Christiana’ të përjetojë periudhën më të qetë në tërë historinë e saj. Kostandini ishte një Perandor gjenial, të cilit mbarë njerëzimi i detyrohen më shumë se çdo Perandori tjetër me veprat e tij. Në rast se do t’i rendisnim më të shquarit që panë dritën e kësaj toke, pas Jezusit, Muhamedit e Budës, vendi me dinjitetin më të madh i takon Perandorit Kostandin. I la njerëzimit një trashëgimi morale, kulturore dhe materiale, më të pakrahasueshme se të asnjë Perandori tjetër. Ilir në origjinë, Dardan në prejardhje, Ai bën krenar në këtë përvjetor çdo shqiptar dhe jam i sigurt për këtë. Ky është viti i tij i madh. Ai do të nderohet në Milano, ku do të organizohet një konferencë e madhe, do të nderohet në Romë, do të nderohet në Stamboll, do të nderohet kudo. Po të ishte gjallë, sot do të ishte midis nesh. Do të ishte sot midis nesh, jo aq shumë për origjinën e tij ilire - dardane, sepse Perandorët nuk kanë kombësi, por do të ishte sot këtu, sepse ky vend dhe ky komb ka mishëruar më mirë se çdo komb dhe çdo vend tjetër respektin e besimit të tjetrit” - deklaroi Berisha. Duke vijuar në këtë linjë, kreu i qeverisë theksoi se, “thelbin e Ediktit të Tij do ta gjente këtu në Shqipëri më bukur se kudo, të mishëruar në moralin e qytetarëve të këtij vendi me besime të ndryshme fetare, me respektin dhe tolerancën e përsosur fetare”. “Ato ishin kohëra të masakrave të paimagjinueshme kundër të krishterëve, vetëm për bindjet e tyre fetare, por nuk mund të thuash kurrë se besimet i kanë frymëzuar apo kanë nxitur ato. Keqpërdorimi i tyre është përdorur si motiv për të zhdukur njeri-tjetrin. Kjo është e vërteta. Kjo ishte e vërtetë në Luftën e II-të Botërore. Ajo që ndodhi me hebrenjtë përbën barbarinë më të madhe të regjistruar në analet e historinë, por ajo nuk ndodhi në vitin 1500, as në vitin 700, ndodhi në vitin 1900, ndodhi në shekullin XX. Nuk është e largët as Srebrenica, nuk janë të largëta as akte të tjera. Ndaj dhe Edikti është dhe mbetet gjithnjë frymëzues, është dhe mbetet gjithmonë aktual, është dhe mbetet gjithmonë themel i paqes sociale të kombeve, të rajoneve dhe të botës” - u shpreh ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›