U tregua i pandershëm, LSI nuk na sjell fitoren
Pas PBDNJ, edhe PDS e Paskal Milos akuza Edi Ramës
Ndërsa koalicioni i djathtë i kryesuar nga Partia Demokratike, duke i qetë dhe solid në pritje të datës së zgjedhjeve parlamentare, krejt ndryshe paraqitet situata brenda të majtës opozitare. Pas Vangjel Dules të PBDNJ, i cili u ankua se Rama i hoqi komisionerët nga ZAZ, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo shkon edhe më tej, duke e akuzuar kryesocialistin se u tregua i pandershëm në raport me aleatët. Sipas tij, Edi Rama vendosi kushte për bashkëpunimin, duke kundërshtuar kërkesën e PDS-së për pjesëmarrje në listat elektorale të PS-së. Ai u shpreh se atë që aleatët ja kërkuan Ramën e bëri të mundur kryeministri Sali Berisha me aleatët e tij. “Është për të ardhur keq që atë që nuk e bëri Partia Socialiste, e bëri z. Berisha me kryetarët e partive të tij aleate duke i futur ato në listën e Partinë Demokratike”, tha Milo në takimin e PDS-së me rastin e themelimit të 10 vjetorit të kësaj force. Lidhur me marrëveshjen me PS, Milo nuk e ka fshehur pakënaqësinë, duke u shprehur se koalicioni nuk duhet të ishte ndërtuar me kushte. Ndërsa shtoi se PS-ja ka dhënë reminishenca të së kaluar, kur u miratua Kodi Zgjedhor i vitit 2009. “As kemi kërkuar lëmoshë dhe as do të kërkojmë lëmoshë. Gjithccka që është propozuar për të bërë bashkëpunim me partnerët dhe aleatët, që është bërë prej kohësh, duhej të ishte mbajtur fjala. Duhet të mos ishte kushtëzuar, sepse kushtëzimet nuk tregojnë sinqeritet. Nuk tregojnë transparencë. Përkundrazi, janë një reflektim i mendësive të vjetra, për të eliminuar partitë aleatë, siç u bënë përpjekje në vitin 2009 përmes Kodit Zgjedhor”, u shpreh kreu i PDS-së, Paskal Milo.
Megjithatë atë që Milo e cilëson si qëndrim jo serioz të kryesocialistit, kjo forcë është rreshtuar në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europian, jo të detyruar, por si një qëndrim real që vijon që prej themelimit të kësaj partie 10 vite më parë. “Ne kemi qenë kurdoherë në këtë aleancë. Askush nuk na ka marrë prej dore. Disa janë gëzuar që nuk u arrit një pikë e marrëveshjes, për bashkëpunim të integruar elektoral, ose për lista të përbashkëta, ashtu sikurse dhe shumë njerëzve dhe dashamirësve të së majtës shqiptare nuk u ka ardhur mirë që nuk po kapërcehet mungesa e vizionit për të parë përtej oborrit, në emër të synimeve të përbashkëta dhe madhore”, u shpreh Milo.
Në fjalën e tij, kreu i PDS-së u shpreh se opozita duhet të bashkëpunoj më shumë se kurrë me aleatët për fitoren e zgjedhjeve. Ndërsa shtoi se ardhja e LSI-së nuk do të thotë detyrimisht se fitorja është e sigurt. “Aleanca për Shqipërinë Europiane të mos ushqejë iluzione për një fitore të lehtë se mjafton që erdhi Lëvizja Socialiste për Integrim atje ku e ka pasur vendin me kohë dhe suksesi është i garantuar. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Nevojitet front i bashkuar në formë dhe në përmbajtje. Gjithsecili ka se çfarë të ofrojë, askush nuk është i tepërt”, tha kreu i PDS, Paskal Milo.