E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha-Krasniqi: EULEX-i të bëjë hetime në Shqipëri dhe Kosovë



Eljona Ballhysa
Shqipëria dhe Kosova do të kenë një qëndrim të përbashkët në Asamblenë Parlamentare të KiE-së. Për këtë qëllim ka vizituar dje Tiranën zyrtare Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili është takuar me kryeministrin Berisha, nga i cili ka marrë garanci për përpjekjet e Shqipërisë për të ndryshuar projektrezolutën e bazuar mbi raportin e Dik Martit. Sipas kryeministrit Berisha, delegacioni shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së do të kërkojë që EULEX-i apo edhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës të ndërmarrin një hetim të plotë për akuzat e bëra nga Dik Marti në Shqipëri dhe Kosovë. Berisha tha gjithashtu se do të kërkohet që nëse Marti disponon prova për akuzat e bëra, t’ia dorëzojë ato EULEX-it.
Strategjia
“Ne besojmë dhe mendojmë se përgjigjja më e mirë ndaj këtij raporti fund e krye racist e shpifës është kërkesa jonë për hetim të plotë për të gjitha problemet që shtrohen në këtë raport nga EULEX-i dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Theksoj edhe një herë se qeveria shqiptare i ka bërë ftesë zyrtare EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare që të rinisin hetimet e këtyre pretendimeve të senatorit Marti, i cili nuk sjell asgjë të re, veçse rreshton akuza të hedhura poshtë në mënyrë të përsëritur nga hetime të mëparshme”, - është shprehur Berisha, ndërsa garantoi se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësirat e nevojshme për hetimin e problematikave që ai ngre. “Ne nuk pengojmë, por e dëshirojmë këtë hetim, ndonëse shprehim të gjithë keqardhjen që raporte të tilla raciste lexohen në Këshillin e Europës. Dua të sqaroj këtu se akuzat ai i ka mbledhur nga analet e Beogradit, nga lobet ruse e të tjerë me radhë, por Dik Marti dëshmohet e del lakuriq para botës me racizmin e tij në përshkrimin që i bën shoqërisë shqiptare. Ai i ka lejuar vetes të përdorë shabllone të doktrinës raciste serbe ndaj shqiptarëve dhe t’i transkriptojë ato në një raport për Këshillin e Europës”, - është shprehur Berisha.
Ndërsa Presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi domosdoshmërinë që dy vendet të koordinojnë qëndrimin për këtë raport. “Kjo akuzë e ngritur, jo e re, por e ripërsëritur, na obligon që dy vendet tona, dy politikat e diplomacitë e vendeve tona t’i koordinojnë punët për ta kundërshtuar këtë raport që është vlerësuar edhe si një pamflet politik. Ne kemi gatishmërinë që institucionet profesionale ndërkombëtare të bëjnë një hetim të gjithanshëm profesional për të gjitha akuzat që i bëhen luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri e çlirim”, - është shprehur Krasniqi, ndërsa është shprehur i gatshëm të përballet me Drejtësinë ndërkombëtare. “Ne jemi të bindur se Bashkimi Europian ka një trupë profesionale në Kosovë për të ndihmuar sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe në përmasat ekzekutive dhe kemi kërkuar që EULEX t’i vazhdojë hetimet aty ku më herët i ka përfunduar administrata ndërkombëtare në Kosovë”, - është shprehur presidenti Krasniqi. Presidenti në detyrë i Kosovës pohoi se akuzat e bëra në raportin e Martit kanë dëmtuar imazhin e Kosovës, por, sipas tij, këto akuza nuk do të ndikojnë në fillimin e bisedimeve Kosovë-Serbi. “Sigurisht që raporti i reporterit të Këshillit të Europës e ka dëmtuar sepse vetë mashtrimi që i është bërë atij raporti ka pasur për qëllim realisht dëmtimin politik të Kosovës. Por a do të ndikojë ky raport në bisedimet që pritet të zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë? Unë them se nuk do të mund t’i pengojë, ndoshta mund t’i vonojë”, - është shprehur Krasniqi.
Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare, Berisha sqaroi dhe njëherë qëndrimin që do të mbajë në Asamble delegacioni parlamentar shqiptar. “Delegacioni ynë shkon në Asamblenë Parlamentare me porosinë dhe vendimin që të kërkojë hetim në rezolutën që do të votohet të kësaj çështjeje nga institucionet ndërkombëtare, EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare dhe amendimi i delegacionit që do të jetë në rezolutë, t’i kërkojë Dik Martit që të gjitha të dhënat që ka t’ia dorëzojë EULEX-it ose Gjykatës Ndërkombëtare. Ky është një detyrim madhor, ligjor dhe moral i Këshillit të Europës”, - është shprehur Berisha.

Topalli-Krasniqi: Do të forcohet më tej bashkëpunimi midis dy vendeve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim Presidentin në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ndodhet për një vizitë në vendin tonë. Gjatë takimit, Jozefina Topalli dhe Krasniqi konstatuan marrëdhëniet e ngushta, të shkëlqyera, midis dy vendeve në të gjitha fushat, ndërsa shprehën angazhimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, kryetarja e Kuvendit vlerësoi shkëmbimet e shumta të eksperiencave dhe bashkëpunimin midis parlamenteve dhe komisioneve parlamentare të të dyja vendeve. “Kam kënaqësinë që gjatë vitit të kaluar kemi pasur shumë shkëmbime eksperiencash dhe bashkëpunimi përmes komisioneve parlamentare. Shpreh kënaqësinë të konstatoj edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ne jemi të bindur dhe të vendosur se do t’i çojmë edhe më tej në të gjitha drejtimet”, - u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Haxhinasto takon homologen kosovare, bisedojnë për raportin e Martit

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje ministren e Punëve të Jashtme në Detyrë të Republikës së Kosovës, Vlora Çitaku. Në takim dy ministrat diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dy vendet, si dhe dinamikën e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës. Ministri Haxhinasto vlerësoi qetësinë dhe rregullin me të cilat u zhvilluan zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, si zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë, të organizuara plotësisht nga institucionet kosovare. Ministri Haxhinasto uroi për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re, me qëllim që Kosova të angazhohet sa më shpejt në tejkalimin e sfidave të progresit të saj. Në takim, Haxhinasto ritheksoi se raporti i Dik Martit është i pabazuar në fakte e të dhëna reale. Ai nënvizoi dhe një herë gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar plotësisht për hetimin e këtyre akuzave të pabaza me të gjitha institucionet e angazhuara në këtë proces. Të dy ministrat përshëndetën njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti i Katarit, duke shprehur bindjen se kjo do të pasohet nga njohje të tjera, çka do t’i shërbejë forcimit të stabilitetit në Kosovë, si dhe paqes e sigurisë në krejt rajonin.

Shqipëria do të marrë pjesë në takimin e Nismës Adriatiko-Joniane

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, senatorin Alfredo Mantika, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet e shkëlqyera politike e të gjithanshme me Italinë, çka u konfirmua në vizitën e ministrit Haxhinasto në Romë, ecuria e Nismës Adriatiko-Joniane si dhe zhvillimet në rajon. Në vijim u diskutua për Nismën Adriatiko-Joniane ku dy vendet tona janë anëtare dhe bashkëthemeluese të saj. Në qendër të këtij diskutimi ishte projekti për hartimin e Strategjisë Europiane të Makro-Rajonit Adriatiko-Jonian. Me këtë rast, senatori Mantika e ftoi palën shqiptare për të marrë pjesë në takimin që do të organizohet në datën 25 janar 2011, në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, ku do të diskutohet gjerësisht mbi këtë projekt të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal. Ministri Haxhinasto, nga ana e tij, shprehu mbështetjen dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për fuqizimin e veprimtarisë së përbashkët në kuadër të nismave rajonale. Në këtë kontekst, ai vlerësoi veçanërisht bashkëpunimin e ngushtë me Italinë, i cili do të ndihmojë në procesin e përmbushjes së standardeve drejt integrimit europian të Shqipërisë. Ministri Haxhinasto theksoi se Kosova duhet të angazhohet në nismat rajonale, pasi kështu rajoni do të kualifikohet më shpejt për integrimin e tij europian.

14 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›