Berisha: “Opozita nuk mund të vijë në pushtet me çimka”
Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha ka reaguar dje për videon e përgjimit të zëvendëskryeministrit Meta. Dy ditë pas publikimit të kësaj videoje, kryeministri, duke dalë në krah të zëvendësit të tij, Ilir Meta, e ka cilësuar bisedën e regjistruar si një produkt të opozitës dhe konkretisht të kryetarit të saj Edi Rama. Ai është shprehur dje për mediat se videoja është e falsifikuar dhe e montuar. Kryeministri deklaroi se opozita nuk mund të vijë kurrë në pushtet nëpërmjet regjistrimeve të tilla. Ai tha se me të tilla veprime mund të merren vetëm bijtë e bllokmenëve që kanë psikologjinë e bunkerit. “Por unë them këtu se as çuni i Kiços dhe as çuni i Kristaqit, as i Xhelilit, as i ndonjë tjetri, nuk do të munden kurrë që, as me çimka, as me truke të vijnë në pushtet”, - ka theksuar kreu i qeverisë.
Qëndrimi
Në fjalën e tij kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij për gjestin e zëvendëskryeministrit Meta, i cili hoqi dorë nga imuniteti i deputetit, me qëllim hetimin e tij nga organet e drejtësisë. Më tej kryeministri përgëzoi Prokurorinë e vendit, e cila vendosi me shpejtësi hapjen e hetimit për këtë çështje. Gjatë fjalës së tij kryeministri e garantoi Prokurorinë se “do të ketë çdo lehtësi jo vetëm për këtë, por për çdo hetim që do të ketë nevojë ndaj çdo zyrtari të këtij vendi. Ne jemi të vendosur të respektojmë plotësisht dhe tërësisht institucionet e pavarura të vendit, sistemin tonë juridik dhe e them këtë me besim të plotë”. Por, kreu i Ekzekutivit u ndal gjatë te roli i kryetarit të opozitës në këtë video. Sipas Berishës, Rama është “regjisori” i videos së falsifikuar. “Më duhet të falënderoj Edvin Kristaq Ramën për nderin që më bëri. Me montimin dhe trukimin e videos, Edvin Kristaq Rama dëshmoi se është i biri i të atit, se është aq i paskrupull dhe amoral, saqë për të luftuar kundërshtarin mund të bëjë çdo falsifikim”, - është shprehur kryeministri. Sipas Berishës, nëpërmjet një veprimi të tillë, Rama tregoi se është i brumosur me kulturën e bunkerit. “Kultura e bunkerit është ajo çka unë nuk do të resht së demonstruari shqiptarëve se çfarë përfaqëson. Një qëndrim të tillë e mbajnë vetëm larvat e bunkerit të Bllokut, neobllokmenët, të cilët janë të aftë të sajojnë çdo gjë, të montojnë gjithçka pa asnjë lloj skrupulli, sepse mendojnë se në këtë mënyrë i afrohen pushtetit”, - është shprehur kreu i qeverisë. Gjatë fjalës së tij për mediat Berisha përsëriti disa herë se videoja e transmetuar është e montuar dhe e falsifikuar, ndërsa shprehu besimin se gjithçka do të zbardhet nga Prokuroria. “Në rast se çuni i Kiços vuri orën dhe regjistroi bisedën time, çuni i Kristaqit urdhëroi fatkeqin e Top Channel-it të montojë videon. Nuk ka këtu asgjë tjetër, vetëm demonstrim të moralit të etërve të tyre. Po flas dhe është fat i madh që këto janë në duar të Prokurorisë dhe ajo do t’i zbardhë që të gjitha”, - është shprehur kryeministri. Berisha pranoi se videoja i është ofruar së pari nga Dritan Prifti, por ai s’e ka pranuar. Sipas kreut të qeverisë, kjo video është bërë publike për shkak se u lejua prej tij.
BOX
Videoja, thanë:
Sali Berisha
“Është e vërtetë që Dritan Prifti ma ka ofruar videon, por i kam thënë: ‘Çoje ku të duash’. Ju videon e morët sepse nuk e mora unë. Po ta merrja unë, ju nuk e merrnit”
“Një material i trukuar në mënyrë diletanteske, që kapërcen nga sekonda e 43-të në minutën e 4-t, nuk mbetet gjë tjetër, veçse të hetohet nga Prokuroria në mënyrë të plotë”
“Është bashkuar i biri i Kiços me të birin e Kristaqit dhe merren me çimkat. Etërit do t’ua kishin lakmi, ndërsa ky ati shpirtëror do t’u jepte një dekoratë”.
Ilir Meta
“Është një shantazh politik dhe elektoral, pasi jemi në prag të zgjedhjeve vendore të përgjithshme, dhe natyrisht edhe të Bashkisë së Tiranës, por edhe sulme me një regji të qartë dhe flagrante mafioze”.
“Rama përmes shantazheve dhe aferave që ka bërë e ka kthyer Tiranën prej vitesh në një lavatriçe të parave të krimit të organizuar”.
“Këtë betejë, e cila për mua është politike, morale dhe ligjore, do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe të lirisë së qytetarëve shqiptarë, në emër të dinjitetit të institucioneve përballë pengmarrësve”.
Qëndrimi
Meta: “Rama është bashkëregjisori i videos së falsifikuar”
Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka akuzuar dje kryetarin e Partisë Socialiste si bashkëregjisor të videos së falsifikuar. Sipas Metës, kjo video nuk është gjë tjetër veçse një shantazh politik në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore dhe veçanërisht për Bashkinë e Tiranës. “Është një shantazh politik dhe elektoral, pasi jemi në prag të zgjedhjeve vendore të përgjithshme, dhe natyrisht edhe të Bashkisë së Tiranës, por edhe sulme me një regji të qartë dhe flagrante mafioze”, - është shprehur Meta. Sipas tij, edhe autori i përgjimit ka pranuar montimin e videos duke hequr pjesë që ndikojnë në opinionin publik. “Dje autori i përgjimit pranoi publikisht se ka dërguar një kasetë përgjimi të montuar, duke hequr pjesët e panevojshme, natyrisht sipas tij, pikërisht me qëllim për të manipuluar opinionin publik, me qëllim për të krijuar imazhe tërësisht të paqena dhe të pavërteta. Dhe kjo regji mafioze nuk është thjesht e çimkës në fjalë, por është e një klani të qartë kriminal dhe mafioz, i cili sot kontrollon Edi Ramën dhe lidershipin e Partisë Socialiste përmes shantazheve dhe aferave që ka bërë, i cili e ka kthyer Tiranën prej vitesh në një lavatriçe të parave të krimit të organizuar dhe që kërkon që me çdo kusht këtë lavatriçe dhe vazhdon ta përdorë për të pastruar paratë edhe pas 8 majit dhe ta kthejë të gjithë Shqipërinë në një lavatriçe të krimit të organizuar”, - është shprehur zëvendëskryeministri. Ai shtoi se është i gatshëm që të përballet me hetimin në mënyrë që e vërteta të dalë të shesh. Meta tha se do të dalë fitimtar nga kjo betejë. “Unë, këtë betejë, e cila për mua është politike, morale dhe ligjore, do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe të lirisë së qytetarëve shqiptarë, në emër të dinjitetit të institucioneve përballë pengmarrësve”, - është shprehur Meta.
LSI-ja denoncon dhunën e ushtruar në ambientet e selisë
Përfaqësuesja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Erisa Xhixho, ka denoncuar dje atë që ajo e cilësoi dhunë të ushtruar në ambientet e LSI-së duke iu referuar protestave të organizuara nga lëvizja “Mjaft!”. “Dua të denoncoj para jush dhe të gjithë shqiptarëve, si një dëshmitare okulare e një akti rrugaçërie që ka ndodhur në zyrat e LSI-së, të kryer nga një grup individësh të identifikuar edhe nga organet e rendit si keqbërës dhe kontingjent kriminal, të cilët, pasi kanë provokuar dhe ofenduar rëndë të rinj dhe të reja aktivistë të LSI-së, kanë vazhduar me goditjen e tyre dhe të godinës së LSI-së me sende të forta, të cilat vunë në rrezik edhe jetën e këtyre aktivistëve. Dëshmitarët e pranishëm në ngjarje konfirmojnë se personat e sipërpërmendur kanë qenë edhe të armatosur me armë të ftohta, me të cilat kërcënonin aktivistët e LSI-së”, - është shprehur Xhixho, e cila ka akuzuar Edi Ramën si nxitës të këtyre lëvizjeve të dhunshme.
14 Janar 2011